Një person është arrestuar pasi dyshohet se ka therur me thikë një 16-vjeçar të dielën në Ferizaj.
Në njoftimin e policisë thuhet se i arrestuari është shtetas i Shqipërisë me vendbanim në Ferizaj ndërsa arrestimi i tij është bërë sot rreth orës 12:30 në rrugën “At Nikë Prela” në Ferizaj, përcjell Arbresh.info.
“Më 27.04.2025, rreth orës 15:10, në rrugën “Gjon Sereqi” në Ferizaj, ka ndodhur një rast i lëndimit të rëndë trupor. Viktima, F.V. (M/K), 16 vjeç, pas një mosmarrëveshjeje, është sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë (thikë), dyshohet nga tre persona, duke pësuar lëndime të rënda trupore. Pas trajtimit fillestar në emergjencën e Ferizajt, viktima është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit. Sektori i hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, pas një pune intensive hetimore në terren, ka arritur të identifikojë një person të dyshuar dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme të kërkimit. Më 28.04.2025, rreth orës 12:30, në rrugën “At Nikë Prela” në Ferizaj, policia ka arrestuar të dyshuarin M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, me vendbanim të përkohshëm në Kosovė, Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit trupor ndaj të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një thikë që dyshohet të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale.
Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 24 orë, në pritje të procedurave të mëtejshme hetimore./Arbresh.info
LEXO EDHE: