Dyshohet për një mjet shpërthyes tek shtëpia e Naim Miftarit (FOTO)

15:31 | 18 Gusht 2017
Arbresh.info

Një mjet si dyshimtë shpërthyes është gjetur të premten afër shtëpisë ku banon ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe njëri nga dëshmitarët e famshëm të rastit gjyqësor “Bllaca ”, Naim Miftari.

Këtë për gazetën Express e ka konfirmuar vetë Miftari, i cili i ka thënë gazetës se “ende nuk e di sigurt se për çfarë mjeti është duke u bërë fjalë”, por thotë se beson që “ky është një mesazh për mua”, ka thënë Miftari, por ka refuzuar ta shpjegojë nga kush mund të jetë dhe për çfarë arsye.

Policia ende nuk ka kumtuar diçka në lidhje me këtë rast, derisa Express posedon fotografitë që shfaqin makina policie në afërsi të shtëpisë së Naim Miftarit.

Në të kaluarën Miftari ishte shfaqur në procesin penal “Bllaca” që ishte nisur nga dëshmitari i EULEX’it, Nazim Bllaca i vetë-shpallur agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK, një agjenci jo-krejt legale që operoi deri në vitin 2008 dhe drejtohej nga kryetari aktual i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri veseli.

Edhe Naim Miftari ka pretenduar që ka punuar në SHIK, por Veseli kishte mohuar që të dy të kishin qenë ndonjëherë pjesë e strukturës së agjencisë që ai e drejtoi deri në pavarësimin e vendit.

Miftari ishte bërë i njohur për publikun në një intervistë ku ai kërcënonte që të mos e shtyjnë ta flasë, se po foli, ato që ai di janë “500 herë më të ashpra se gjërat që kishte zbuluar Nazim Bllaca”.

Më vonë një video e bërë nga dëshmitari i EULEX Nazim Bllaca dhe e publikuar nga disa media e nxirrte Miftarin duke akuzuar se edhe njëri nga vëllezërit e Presidentit Hashim Thaçi kishte bashkëpunuar me regjimin e Sllobodan Milloshevicit.

Naim Miftari herë pas here është prezent në media i cituar herë si ish-agjent i SHIK’ut e herë si një nga drejtuesit e njësisë për inteligjencë në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), komponentës që njihej si “G2”.

fotoja2_1503061581-6241827B

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme