Google ADS

Dyshohen për keqpërdorim të detyrës, ndalohen dy zyrtarë të lartë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë

16:12 | 8 Shtator 2023
Diellza Gashi

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy personave nën dyshimin se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të QPS-së në Prishtinë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përcjell Arbresh.info.

“Të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore lidhur me këtë çështje penale./Arbresh.info/

Të ngjashme