Dy vjet nga fitorja e PDK-së në zgjedhje lokale, Krasniqi në Ferizaj: Ky është modeli i qeverisjes për të cilin ka nevojë qytetari

16:05 | 17 Tetor 2023
E.H

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në dy vjetorin e fitores së PDK-së në zgjedhjet lokale ka vizituar sot Komunën e Ferizajt, ku kryetari Agim Aliu ka fituar besimin e qytetarëve në raundin e parë.

Krasniqi tha se Ferizaj është shembulli më i mirë se si transformohet një qytet dhe një komunë në shërbim të qytetarëve, përcjell Arbresh.info

“Në këtë dy vjetor të fitores së madhe të kryetarit Agim Aliu, por edhe të PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale, nuk kisha se si të mos vij në Ferizaj për ta përgëzuar kryetarin Agim Aliu për punën e jashtëzakonshme, për ta falënderuar për përkushtimin e tij dhe për këtë transformim, të cilin po e ndjejnë çdo ditë e më shumë qytetarët e Ferizajt. Ky është modeli i qeverisjes për të cilin ka nevojë qytetari ta ndjejë dhe ne në nivelin lokal këtë po e shohim në Ferizaj, por edhe në shumë komuna të tjera, aty ku bashkëpartiakët tanë, kryetarët nga radhët e PDK-së kanë marrë përgjegjësi dhe besim qytetar”, theksoi ai.

Krasniqi tha se modeli qeverisës i PDK-së në nivelin lokal, në dhjetë komunat ku PDK qeveris, me numrin më të madh të asamblistëve, numrin më të madh të grave dhe të rinjve në pozicione udhëheqëse, është dëshmuar se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, përtej ngjyrimeve politike.

“Sot ne zotohemi përsëri që gjithmonë dhe kudo që jemi, punën dhe përkushtimin do ta kemi për qytetarin dhe jo për politika ditore. Ky Ferizaj i ri, i transformuar në shërbim të qytetarëve me një kryetar që është i tyre dhe mes tyre, është shembulli më i mirë, është modeli të cilin ne po e ndjekim edhe në Prizren, Mitrovicë, Skenderaj, Drenas, Vushtrri, por edhe në komunat më të vogla si Kaçaniku e Hani i Elezit”, tha kreu i PDK-së.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka falënderuar kryetarin Krasniqi për mbështetjen në vizionin e tij për transformimin e Ferizajt, që po e shndërrojnë këtë qytet në destinacion.

“Sigurisht që nuk do të ishte i mjaftueshëm vetëm një vizion i yni, vetëm një mbështetje e jona nga këshilltarët, nga ekipi i ekspertëve që i kam pasur dhe i kam pranë vetes, pa mbështetjen e nivelit qendror, pa mbështetjen e kryetarit, sepse gjitha këto projekte kanë një zanafillë. Ne kemi filluar kaherë me këto projekte dhe jemi duke i vazhduar, por krahas këtyre që e hapin zemrën e qytetit, ne jemi duke zhvilluar edhe projekte tjera që kanë të bëjnë edhe me agjendën e gjelbër, sepse gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes sime fokus i veçantë krahas transformimit janë edhe politikat e gjelbra”, ka theksuar Aliu.

Këto deklarata kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetari i Ferizajt Agim Aliu i bënë pas vizitës që i bënë projektit të nënkalimit të ri që po zhvillohet në qytetin e Ferizajt./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme