Google ADS

Dy vjet e gjysmë qeverisje, Kurti: Mbi 3800 të arrestuar, 2.2 ton substanca narkotike të konfiskuara

14:05 | 18 Tetor 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë këtyre dy vite e gjysmë qeverisje, Policia e Kosovës ka organizuar mbi 1000 operacione kundër krimit dhe kontrabandës.

Ndërkaq thotë se janë arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e të cilëve 300 zyrtarë publikë, shkruan Arbresh.info.

Tutje, ai njofton se Policia e Kosovës ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend.

“Me mbi 1000 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë. Ajo sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend.”, ka shkruar Kurti.

Gjatë kësaj periudhe janë shkatërruar edhe 16 labortarë të drogës, prej tyre nëntë në veri të vendit, bën të ditur shefi i qeverisë.

“Në total, në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike.”, njoftoi Kurti.

Kryeministri Kurti njoftoi se janë sekuestruar mbi 14 milionë euro nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave.

Ndërkaq, dogana ka konfiskuar mall me vlerë prej 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale, është mbi 90 milionë euro.

Ai përmendi edhe bahskëpunimin me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut përmes së cilit janë mbyllur gjashtë , respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufinjve përkatës që ndajmë me këto dy shtete.

“Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar.”, tha mes të tjerash Kurti.

I pari i qeverisë bën të ditur se janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit.

“Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë. Janë shkatërruar gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro.”, tha Kurti.

“Ligjshmëri. Shërbim. Siguri.”, përfundoi Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme