Dy viktima brenda ditës nga Covid-19, Jakupi: 170 mostra janë duke u testuar

18:36 | 16 Prill 2020
A. B.

Xhevat Jakupi, Drejtor i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare, ka konfirmuar edhe vdekjen e pacientit të dytë brenda ditës nga koronavirusi në Kosovë, rast ky që e çoi numrin e përgjithshëm të viktimave nga Covid-19 në 11.

Jakupi në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës, bëri të ditur se sot janë marrë për testim 170 mostra.

“Në laborator janë 170 mostra që janë në proces të përpunimit, ose do të përpunohen dhe rezultatet do të dalin pas disa orësh”.

“Me rritjen e numrit të rasteve të konfirmuara me koronavirus, pritet të kemi edhe më shumë raste të kontakteve të tyre, gjë që rezulton në më shumë mostra”.

Ai gjithashtu tha se është ngritur edhe numri i personelit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare.

“Aktualisht janë tetë deri në nëntë persona që punojnë në mënyrë të rregullt në laborator. Gjithashtu kemi kërkuar ndihmë edhe nga kolegët tanë që kanë ekspertizë në testimet me metodën RT-PCR nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë dhe nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të na ndihmuar. Në ditët në vijim kur do të kemi më shumë teste në dispozicion, do të shqyrtojmë mundësinë që një pjesë të punës ta kryejnë edhe koleget tanë që kanë ekspertizë të nevojshme në testime RT-PCR, natyrisht nën mbikëqyrjen tonë”.

Jakupi gjithashtu njoftoi se kapacitetet sa i përket aparaturës janë duke u shtuar vazhdimisht dhe se situata në këtë aspekt është përmirësuar dukshëm.

“Ne kemi filluar procesin e blerjes së ‘kiteve’ që para një muaji. Deri më tani Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK kanë kontraktuar mbi 11 mijë teste – deri më tani kanë arritur pesë mijë teste, nesër do të arrijnë edhe dy mijë ndërsa ditën e hënë arrijnë edhe katër mijë të tjera. Pjesa tjetër vjen ndërkohë”.

Ai pohoi se blerja e 10 mijë testeve tjera shtesë, është në proces të tenderimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme