Google ADS

Dy të akuzuarit për terrorizëm Betim Ibrahimaj dhe Irfan Haqifi kanë ikur në Siri

15:04 | 13 Tetor 2016
L G

Dy të akuzuarit për vepra të ndryshme terroriste, përfshirë“Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” dhe “Rekrutim për terrorizëm”, Betim Ibrahimaj dhe Irfan Haqifi, të arratisur muaj më parë nga organet e drejtësisë, dyshohet se tashmë gjenden në Siri.

“Arbresh.info”, ka mësuar se Ibrahimaj dhe Haqifi përveç që janë arratisur, ata kanë arritur të kalojnë kufirin e Kosovës, për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri.

Derisa Betim Ibrahimaj akuzohet për “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”, pasi i njëjti edhe më herët kishte qenë pjesë e grupeve terroriste në Siri, Irfan Haqifi akuzohet për “Rekrutim për terrorizëm”.

Ibrahimaj kishte thyer masën e arrestit shtëpiak edhe më herët, duke iu bashkangjitur të akuzuarve tjerë për veprat penale “Përgatitje e veprave terroriste dhe ndihmë në përgatitjen e tyre”, i njohur si rasti i “Liqenit të Badovcit”.

Shkuarjen në Siri të Ibrahimajt dhe Haqifit, Drejtoria Kundër Terrorizmit në kuadër të Policisë së Kosovës as nuk e pohon as nuk e mohon.

Zyrtarë të këtij institucioni kanë deklaruar se vazhdimisht po punohet në parandalimin e shkuarjes së qytetarëve kosovarë në vendet e konfliktit.

Megjithatë, Ibrahimaj dhe Haqifi nuk janë të vetmit kosovarë që këta muaj të fundit kanë shkuar në Siri.

Drejtoria Kundër Terrorizmit pranon se nga shtatori i këtij viti disa kosovarë përmes vendeve fqinje kanë arritur të shkojnë në Turqi, për të depërtuar pastaj në Siri.

“Policia është duke trajtuar informacionin se katër shtetas kosovarë nga vendet e treta (shtetet fqinje) kanë udhëtuar për në Turqi. Bazuar në informatat dyshohet se personat kanë si qëllim shkuarjen në zonën e konfliktit në Siri”, është shprehur Hoxha për “Arbresh.info”.

Për këta persona dhe qëllimet e tyre, sipas tij, Policia e Kosovës i ka informuar autoritetet përkatëse, por që ende nuk është arritur të konfirmohet se të njëjtit gjenden në Turqi apo kanë arritur të depërtojnë në zonën e konfliktit.

Në anën tjetër Prokuroria Speciale nuk ka dashur të deklarohet rreth kësaj çështjeje.
Ndryshe, Irfan Haqifi dhe Betim Ibrahimaj, para Prokurorit Special kishin pranuar veprat penale për të cilat akuzohen.
Deri në gusht të vitit 2015, sipas Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, në konfliktet e armatosura në Siri dhe Irak kanë humbur jetën 46 kosovarë. /Gita Lushi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme