Dy skenarët e Qeverisë për blerjen e rrymës

11:45 | 30 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet ta subvencionoi me rreth 40 milionë euro importin e energjisë elektrike për pesë muajt e ardhshëm. Përndryshe, qytetarët rrezikojnë të mbesin në terr.

Këtë alarm e ka dhënë Komiteti Teknik Emergjent i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në një raport të brendshëm dhe i cili për adresë ka pasur Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në raportin 15 faqesh të këtij Komiteti, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, situata energjetike në vend përshkruhet si shumë e rëndë dhe që kërkon ndërhyrjen urgjente të Qeverisë.

Raporti i ka identifikuar si dy problemet kryesore çështjen e energjisë së veriut, pas vendimit të Gjykatës për ndalimin e pagesës nga ana e qytetarëve dhe çështjen e mungesës së gjenerimit vendor, përkatësisht mungesën e nxjerrjes së thëngjillit nga KEK si pasojë e shpronësimeve të vonuara.

Për ketë Komiteti i rekomandon kryeministrit Haradinaj që ta zgjedhë njërin nga dy skenarët dhe ta subvencionojë koston e importit të energjisë elektrike, të cilat indirekt do të shkonin në llogari të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).

“Të subvencionohet KEK-u për mbulimin e kostos shtesë të importit për të zëvendësuar mungesën e prodhimit nga KEK-u, sipas planifikimit në Bilancin vjetor 2017 dhe parashikimin e bilancit për vitin 2018”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se me të gjitha këto kosto shtesë dhe pa ndonjë subvencionim apo reflektim në tarifa, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) do të rrezikojë seriozisht likuiditetin financiar duke pamundësuar edhe investimet në rrjetin e shpërndarjes për periudhën e ardhshme rregullative.

Veç kësaj Komiteti rekomandon që të sigurohet një fond për mbulimin e humbjeve nga furnizimi me energji elektrike të katër komunave të veriut të Kosovës.

“Të sigurohet një fond i menjëhershëm për zgjidhje afatshkurtër (për periudhën dhjetor 2017 – mars 2018). Nëse rekomandimi nr. 2 nuk përmbushet deri në prill të vitit 2018, humbja për furnizimin në veri do të vazhdoj të mbulohet nga fondi për mbulimin e humbjeve”.

E tërë kjo do ti kushtoi buxhetiti të shtetit dhjetëra miliona euro nga taksat e qytetarëve për pesë muajt e ardhshëm, deri kur mendohet se KEK-u do të filloj të punoj me kapacitete të plota për prodhim të energjisë elektrike.

Çka thonë dy skenarët?

“Për të analizuar ndikimin financiar nga situata e krijuar me mungesën e gjenerimit vendor si dhe çështjes së humbjeve në veri të Kosovës, janë analizuar dy skenar të mundshëm: skenari bazë dhe skenari optimistik. Nga analiza për skenarin bazë, ndikimi financiar rezulton të jetë 41.3 milion euro, ndërsa nga analiza për skenarin optimistik, ndikimi financiar rezulton të jetë 30 milion euro”, thuhet në raport.

Të dy skenarët përfshijnë kostot për furnizim të konsumatorëve të Shërbimit Universal dhe konsumatorët e kyçur ne 110 kV, humbjet e lejuara në OST dhe OSSH si dhe humbjet e shkaktuara në katër komunat e veriut të Kosovës.

Skenari bazë paraqet prodhimin e energjisë elektrike nga KEK, duke operuar me një njësi të termocentralit Kosova A dhe një njësi të termocentralit Kosova B me kapacitet të përgjithshëm prej 390 megavatë për periudhën nëntor 2017 – mars 2018.

Pjesa tjetër e energjisë, prej 400 megavatësh duhet të sigurohet nga importi. Rrymën e siguruar nga importi duhet të subvencionojë Qeveria e Kosovës.

Ky skenar është bazuar në rezervat aktuale të thëngjillit prej 1.1 milion ton dhe mundësisë së nxjerrjes të thëngjillit me kapacitet minimal, sa për të siguruar vazhdimësi të prodhimit të energjisë elektrike.

Ndërkaq, skenari i dytë, siç e ka quajtur Komiteti skenari optimistik paraqet prodhimin e energjisë elektrike nga KEK, duke operuar me dy njësi të termocentralit Kosova A dhe dy njësi të termocentralit Kosova B me kapacitet të përgjithshëm prej 780 megavatë për periudhën 1 janar – 10 shkurt 2018. Ndërsa nga 11 shkurt e tutje të vazhdohet me operimin e një njësi të termocentralit Kosova A dhe një njësi të termocentrlait Kosova B me kapacitet të përgjithshëm prej 390 megavatë.

“Ky skenar është bazuar në rezervat aktuale të thëngjillit prej 1.1 milion ton të cilat mbulojnë furnizimin me thëngjill për katër njësitë e prodhimit deri më 10 shkurt, ndërsa pas datës 10 shkurt duhet të krijohet mundësia e eksploatimit të thëngjillit për të siguruar vazhdimësi të prodhimit të energjisë elektrike me një njësi të TC Kosova A dhe një njësi të TC Kosova B”, thuhet në raportin e Komitetit Teknik Emergjent të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. /Gazeta Fjala

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme