Muajin qershor të këtij viti familja Alija nga Lubizhda e Prizrenit e përmbylli si mos më keq. 30 qershori i vitit 2018 ishte dita më e rëndë për këtë familje, pasi djalin që nisën në mëngjes për në punë, nuk e pritën për tu kthyer si edhe 10 ditët paraprake.
Seldini, vetëm 17 vjeç nuk u kthye atë ditë, por familjes i erdhi lajmi më i hidhur për të. Ai, kishte vdekur gjersa kryente punën e tij në kompaninë e stiroporit “SatStyro”, punë që u shtye ta bënte nga kushtet ekonomike jo të mira të familjes.
Gati gjysmë viti pas rastit tragjik, Inspektorati i Punës ka treguar raportin zyrtar të nxjerr në lidhje me këtë ngjarje. Zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku ka treguar për Ndërtimi.info çka kishte ndodhur saktësisht atë ditë.
Seldinit, vdekja i kishte ardhë nga një makinë për përpunimin të stiroporit, në të cilën kishte përfunduar pas një aksidenti gjatë vendosjes së materialit në të.
“I punësuari, tashmë i ndjeri, duke punuar pasi ka vendosur në makinën ku punonte shumicën e sasisë së mbeturinave nga thesi i stiropirit atëherë nga pakujdesia e tij mashtrohet për të përfunduar punën me shpejtësi, kështu që një pjesë të mbeturinave të mbetura në thes e ka kap me duar thesin dhe e çon lartë mbi kokën e tij për t’i derdhur menjëherë mbeturinat e mbetura në thes. Atëherë makina ia ka kap një pjesë të thesit dhe e i lidhen duart për thesi të aksidentuarit, bashkë me mangën, duke e bartur prej vetit thesin e mbeturinave fillon me ia tërheq edhe trupin e tij përmes duarve e pastaj edhe kokën. Në këtë videoincizim, të siguruara nga Policia e Kosovës shihet se nuk e ka bërë këtë veprim në ndikimin e dhunës të ndonjë të punësuari tjetër apo menaxherit. Por u ka qenë dashtë me vazhdu me tërheqë nga thesi dhe me vendos me makinë me duar ashtu siç e kishte filluar”, ka shpjeguar raportin Millaku.
Sipas tij, e gjithë ngjarja kishte ndodhur si pasojë e ngutisë së 17 vjeçarit për të dalë në pauzën e drekës.
Si pasojë e kësaj ngjarje kompania “SatStyro” u ndëshkua nga Inspektorati i Punës me dy masa. “Masa e gjobës ka qenë 2 mijë euro”, ka theksuar Millaku, derisa ka treguar se edhe i është pezulluar puna.
“ Si masë ndëshkimore, fillimisht ia ka ndalu punën derisa nuk bindet inspektori që duhet me ofrua fakte. Vendi i punës nuk paraqet rrezik, është lëshuar në veprim sepse me sa di ka bërë edhe vlerësimin e rrezikut dhe është një prej kompanive më e përkushtuar në këtë drejtim, se e dinë tash çka ka ndodhë dhe është i vetëdijshëm”, ka thënë tutje Millaku.
Tutje, Millaku ka theksuar se mund të ketë edhe masa tjera ndëshkimore ndaj kompanisë, por nga organe tjera.
“Këto nuk janë masat e vetme ndëshkimore që i ndodhin punëdhënësit. Sepse dikush mund ta merr se për një humbje jete. Zhvillohen dhe dy procedura tjera përveç kësaj që ne e zhvillojmë. Është procedura për çdëmtim, procedura civili dhe procedura penale. Varet tash prokurori a e cilëson si vepër penale a nuk e cilëson. Nëse cilësohet vepër penale atëherë duhet të jep llogari penale”, ka shtuar ai.
Derisa, Inspektorati i Punës ka ndërmarrë masa, rasti ka kaluar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit. Ky organ i drejtësisë ende po vazhdon hetimet.
Prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka treguar për Ndërtimi.info se në lidhje me këtë rast hetimet po zhvillohen për asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.
“Duke u bazuar në kërkesën dhe në pyetjet tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren -Departamenti i Përgjithshëm, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet A.B., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’ nga neni 367 paragrafi 2 dhe paragrafi 3 lidhur me paragrafin 7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, ju njoftojmë se rasti aktualisht është në fazën e hetimeve, dhe se Prokuroria do të veproj konform dispozitave ligjore”, ka thënë ai.
Ligji i Punës, lejon punësimin e personave mbi moshën 15 vjeçar, duke theksuar në nenin 7 se personat e moshës 15 deri në 18 vjeç mund të punësohen vetëm për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për shëndetin ose zhvillimin e tyre.
Përveç Seldinit, gjatë këtij viti vdekjen në vendin e punës e gjetën edhe 22 punëtorë të tjerë, duke bërë kështu që viti 2018 të jetë viti me më së shumti vdekje në vendin e punës./Ndërtimi.info
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...