Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano dhe Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, nënshkruan sot dy Marrëveshje Teknike që synojnë konsolidimin e vijimësisë së bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), për rritjen e efektivitetit të punës për personat e zhdukur.
Marrëveshja teknike ndërmjet EULEX-it dhe IML-së për kryerjen e përbashkët të shqyrtimit të rasteve” përfshin ofrimin thelbësor të ndihmës nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it për IML-në në të gjitha aspektet teknike të kërkimit, zhvarrosjes dhe identifikimit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë.
‘Marrëveshja teknike për instalimin e zyrave në kontejnerë në IML për një afat të mesëm’ ka të bëjë me instalimin e përkohshëm të zyrave në kontejnerë nga EULEX-i në IML, si dhe synon të sigurojë vazhdimësi për marrëdhëniet e ngushta të punës ndërmjet Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it dhe personelit të IML-së deri në përfundimin e punimeve për riparimin e objektit IML-së, pasi objekti qe dëmtuar nga zjarri. Zyrat në kontejnerë pritet të vendosen gjatë muajve të ardhshëm.
Marrëveshjet teknike të nënshkruara sot ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të IML-së për kryerjen e punës për personat e zhdukur, siç parashihet nga “Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale 2024-2034” e miratuar së fundmi.
“Që nga fillimi i mandatit të tij deri më sot, EULEX-i ka punuar pa pushim për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre, në mënyrë që ata të varrosen me respekt dhe dinjitet. Ekspertët e EULEX-it ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve klandestine apo të pashënuara, si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga lufta e Kosovës dhe periudhën menjëherë pas saj. Misioni gjithashtu e mbështet IML-në për analizimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës. Në veçanti, që nga viti 2009, ekspertët e EULEX-it kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në 806 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 210 zhvarrime. Mbetjet mortore të 507 personave janë identifikuar, duke përfshirë 348 persona të zhdukur”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar për t’i mbështetur homologët e tij në IML dhe institucionet tjera përkatëse të Kosovës për ta zbuluar fatin e personave të zhdukur, pavarësisht nga rrethanat e zhdukjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike, fetare apo kombëtare, apo ndonjë karakteristikë tjetër.
“Puna e Misionit është që t’i ndihmojë institucionet e Kosovës që t’u japin përgjigjet shumë të nevojshme familjeve dhe të dashurve të personave të zhdukur, për ta realizuar të drejtën e tyre për ta ditur të vërtetën”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...