Autoritetet në Prishtinë aktualisht po mbajnë dy lloj kushtëzimesh për pezullimin e tarifës doganore 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vendosur importeve nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina. Në koalicionin qeverisës, nuk ka një qëndrim të harmonizuar rreth pezullimit të tarifës, kërkesë kjo e shprehur qartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Përderisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, si subjekti më i madh në koalicionin qeverisës, ka prezantuar kushtet për pezullimin e tarifës për 120 ditë, kryeministri Ramush Haradinaj i cili është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, këmbëngulë në njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, si kusht për pezullimin apo shfuqizimin e tarifës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka sqaruar se në bazë të kërkesave amerikane për pezullim, ai ka kërkuar pezullim dhe jo heqje të tarifës doganore. Sipas tij, tarifa doganore është vendosur për të mirën e Kosovës dhe ajo nuk guxon të kthehet kundër saj.
“E kemi vendosur tarifën 100 për qind mbi produktet dhe mallrat serbe për shkak se Serbia na ka imponuar një masë të tillë dhe tarifa do të qëndrojë”, tha Veseli.
Megjithatë, Veseli, duke aluduar në propozimin e tij për një pezullim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën doganore për 120 ditë, tha se e propozimi është konkret, bazuar në kërkesën e Shteteve të Bashkuara.
Por, sipas tij, kjo do të ishte vetëm masë e përkohshme, ndërkohë që institucionet e Kosovës do të nisnin veprimet që të mos lejojnë më hyrjen e mallrave në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë e Metohi”, si dhe pa i respektuar institucionet e Kosovës.
Veseli tha se në këtë drejtim është duke u punuar intensivisht dhe se “Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk guxojnë të kenë qëndrime të ndryshme përballë Serbisë”.
Për dalim nga qëndrimi Kadri Veselit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të mbajë qëndrimin se taksa doganore nuk do të largohet përderisa Serbia të mos e njohë Kosovën si shtet.
Lidershipi në Beograd ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me heqjen e tarifës. Pezullimi i tarifës për t’i dhënë mundësi dialogut, është kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Me këtë kërkesë, është pajtuar edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili në një bisedë telefonike me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini ka kumtuar se duhet eliminuar preteksti që po përdorë Serbia, në mënyrë që dialogu të vazhdojë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Qeveria e Kosovës, do të bënte një gabim të madh nëse heq taksën doganore pa u arritur qëllimi.
“Të vendosësh, e në gjysmë të rrugës të tërhiqesh pa ia arritur qëllimin politik për të cilin e ke vendosur dhe të shkosh në dialog sipas kushteve të (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit, pas heqjes së tarifës, ky është pozicioni më i keq prej të gjitha mundësive që i shqyrtuam”, theksoi Konjufca.
“Për këtë arsye, unë mendoi se Qeveria Haradinaj, do të duhej të kishte analizuar mirë këtë gjë, nëse e ka analizuar mirë, nëse pretendon se e ka mirë dhe kjo nuk hiqet, atëherë duhet t’i qëndrojmë deri në fund kësaj tarife”, tha Konjufca.
Ndërkaq, Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se para se të bëhej vendosja e taksës doganore është dashur që të bëhet një analizë më e thellë dhe të shikohet mos ndoshta do të ishte më e drejt mosvendosja e barrierave tarifore. Nëse taksa hiqet, thotë Kryeziu, do të tregohet se vendimi për vënien e saj nuk ka qenë i menduar mirë.
“Situata në të cilën jem ne sot i ka dy alternativa. E para po shohim faktorin ndërkombëtar që po bën presion në heqjen e taksës dhe ne kemi parë lëkundjet e para nga partneri i koalicionit Partia Demokratike. Alternativat janë këto: ose do të pezullohet taksa siç po kërkohet edhe nga PDK-ja dhe dialogu duhet të vazhdojë ose taksa do të mbetet dhe po shkohet drejt zgjedhjeve. Këto janë dy alternativa që unë i shoh në drejtim të këtij procesi”, tha Kryeziu.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, më herët ka deklaruar se ka ofruar zgjidhje për çështjen e tregtisë mes Beogradit dhe Prishtinë dhe se po pret përgjigjen nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë. Komisionari Hahn, ka thënë se ka biseduar me presidentët Thaçi dhe Vuçiq dhe se në detaje i ka njoftuar me propozimin e tij.
“Unë jam i gatshëm që ta drejtoj këtë bisedë dhe kjo do të ishte bazë për të supozuar që është i mundur vazhdimi i dialogut i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini”, ka deklaruar Hahn.
Në anën tjetër, deputeti Glauk Konjufca thotë se nëse taksa nuk mund të mbahet, nuk përjashtohet mundësia, sipas tij, e futjes së saj në pazare të ndryshme politike.
“Nëse kryeministri e vëren që nuk po mund të qëndrojë përball presioneve, mund të hyjë në pazare të cilat mund t’i shpërfaqë si fitore alternative. Ti e vendos një qëllim që nuk mund ta realizosh, por e transferon atë qëllim në një qëllim tjetër dhe e shpall si fitore. Nëse kanë hyrë në negociata për fusnota apo për një diçka tjetër, nuk e përjashtoj këtë mundësi, që edhe kjo të jetë një pako e pazareve të përgjithshme edhe më Bashkimin Evropian”, tha Konjufca.
Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor të vitit të kaluar, ka vendosur taksën doganore prej 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Autoritetet e Serbisë kanë thënë se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën, në rast se taksa për produktet e Serbisë nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta pezullojnë këtë vendim. /rel/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...