Google ADS

Dy herë në Serbi| Çfarë e “pengon” Erdoganin të vizitojë Kosovën?

08:58 | 10 Shtator 2022
L G

Turqia vazhdon të mbetet një ndër aleatët kryesorë të Kosovës, që i ka dhënë dhe po i jep edhe në rrugëtimin për fuqizimin e shtetësisë, dhe sipas analistëve politikë, mos ardhja e presidentit turk, Recep Tayip Erdogan, në Kosovë, dhe shkuarja dy herë në Serbi, nuk mund të nënkuptohet si ftohje e raporteve Kosovë-Turqi, shkruan arbresh.info.

Kosova shihet sikur një kopsht nga shtetet perëndimore, njësoj e sheh edhe Turqia, kështu thotë për arbresh.info analisti Mazllum Baraliu.

“Vet Turqia si edhe disa eksponent të caktuar të politikës perëndimore, Kosovën e trajtojnë sikur të ishte kopshti i saj”, shprehet ai.

Vizitat e tij të fundit herë në Shqipëri e herë në Serbi, Baraliu i sheh si interes politik, e sa i përket asaj se në vizitën e fundit që e kishte në Serbi, e foli për dialogun Kosovë- Serbi e tha se është përkrahës i këtij dialogu, këtë vullnet të tij politik ai e sheh si një vullnet të mirë dhe është i mirëseardhur.

Në kohën kur Erdogan vinte në Kosovë, analisti thotë se ka ardhur për interesat e veta politike, pasi në ato vite investitorët turq kishin marrur asete të rëndësishme këtu në vendin tonë.

“Erdogan ka realizuar qëllimet dhe investime ekonomike sepse pikërisht në ato vite investitorët kryesor turq në KosovË kanë marr asetet më të rëndësishme”, deklaroi ai.

E faktin që presidenti turk po mundohet të ta mbajë mirë me të dyja shtetet, si me Kosovën dhe Serbinë e krahason edhe me rrethanat politike që janë tani në botë, ai e sheh si komplet interes politik pasi të njëjtën gjë është duke e bërë mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Po vërehet një tendencë e Turqisë që në rrethanat politike që janë tani në Evropë dhe në botë, ajo po përpiqet të luaj rolin e një fuqie të madhe, pasi të njëjtën gjë po e bën në mes Rusisë dhe Ukrainës”, përfundoi Baraliu.

Kujtojmë se javë më parë presidentja e vendit Vjosa Osmani ishte në vizitë në shtetin e Turqisë, ku u prit me një ceremoni të lartë shtetërore, e analisti Bekim Kabashi thotë se vetë pritja e cila i është bërë presidentes tregon se Turqia vazhdon të jetë një partner i Kosovës.

Tutje ai shton se shteti turk ka interesa edhe në shtetet e tjera, duke përfshirë këtu edhe Serbinë.

Erdogan për herë të fundit në Kosovë ishte në vitin 2013, në kohën e qeverisjes Thaçi, Kabashi për këtë mendon se mos ardhja e tij në Kosovë mund të ketë arsye personale me dikë nga lidershipi institucional në Kosovë, e që megjithatë nuk e largon interesin turk nga vendi ynë.

“Mos qëndrimi i tij për një kohë të gjatë në Kosovë mund të ketë lidhje edhe shkaku i raporteve të tij personale me dikë nga lidershipi institucional në Kosovë, por kjo nuk e largon interesin turk nga Kosova”, thotë ai për arbresh.info.

E pavarësisht asaj se ndikimi ka qenë shumë më i vogël në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimit Evropian, Kabashi potencon se Turqia gjithmonë është munduar dhe ka qenë e gatshme të ndihmojë në raportet Kosovë-Serbi.

“Jemi shumë të kënaqur që është arritur marrëveshja për kalimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë vetëm me letërnjoftim, ndërsa sa i përket targave, shpresoj që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt, si dhe për çështje të tjera problematike”, tha Erdogan gjatë vizitës në Serbi.

Këto komente Shefi i shtetit turk i bëri pas takimit që pati në Beograd me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq. /arbresh.info / Kujtesë Berisha

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme