Google ADS

Dy fëmijë në trajtim mjekësor shkaku i ngrohjes, drejtori Syla hedh poshtë akuzat e prindërve

15:17 | 11 Nëntor 2017
Arbresh.info

Disa prind të qytetit të Gjilanit, konkretisht të lagjes “Dardania”, janë ankuar për ngrohje qendrore në çerdhen publike “Ardhmëria 2”, të kësaj lagje shkruan arbresh.info.

Sipas disa prindërve fëmijët e tyre janë ftohur nga mungesa e ngrohjes, edhe pse janë ulur temperaturat.

Ata i kanë thënë portalit arbresh.info se Drejtoria Komunale e Arsimit ende nuk i ka furnizuar me material për ngrohje dhe se nga kjo po e pësojnë më të vegjlit.

Madje një nënë ka deklaruar se dy fëmijët e saj janë në terapi mjekësore shkaku i të ftohtit.

Mirëpo këto akuza të prindërve i hedh poshtë drejtori i arsimit në Komunën e Gjilanit, Bardhyl Syla.

Ai ka thënë për portalin arbresh.info se ngrohja në atë çerdhe ekziston dhe deklarimet e prindërve nuk janë aspak të vërteta.

Sipas tij institucionet parashkollore furnizohen me rezerva të naftës për ngrohje dhe se këto të fundit ekzistojnë në atë çerdhe.

“Nuk është e vërtetë, po më vjen keq, por këto janë spekulime sepse nuk kemi problem me ngrohjen. Institucioni parashkollor furnizohet me naftë edhe ata kanë naftë kështu që nuk është ftohtë. Ngrohja punon, ata kanë rezerva të naftës, mirëpo koha ka qenë e butë edhe nuk ka asnjë problem, ngrohja punon gjatë javës, nuk qëndron ajo që ju kanë sëmurë fëmijët nga i ftohti”, ka thënë ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme