Google ADS

Dy anët e rrjeteve sociale

10:27 | 13 Tetor 2019
L G

Rrjetet sociale në kohët moderne, konsiderohen si pjesë e angazhimeve dhe jetës së përditshme. Jo rrallë, është trajtuar çështja nëse këto rrjete janë me të vërtetë sociale apo asociale, sidomos te të rinjtë, por secili ka interpretuar në formën dhe mënyrën e vet, që kryesisht niset nga qëllimi për çka dhe sa kohë përdoren ato nga të rinjtë.

Sipas psikologes Mira Gashi Aziri, i gjithë problemi bazohet se për çfarë arsye përdoren këto rrjete.

“Tashmë e dimë të gjithë si familja, si të rinjtë, si fëmiijët të gjithë i takojmë shekullit të teknologjisë dhe nuk mundemi assesi t’i shmangemi, por mënyra si e përdorim, atëherë na çon në njërën anë negative të rrugës apo në tjetrën pozitive të rrugës sepse nuk mund t’i shohim rrjetet sociale ose vetëm si negativitet ose vetëm anët pozitive”, tha psikologja Mira Gashi Aziri për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se pikëpamjet për anët pozitive dhe negative krijohen duke e bazuar nga këndvështrimi i përdorimit i tyre. Një anë pozitive, thekson ajo, padyshim që është mundësia e marrjes së informacioneve të ndryshme.

“Sa i përket pjesës psikologjike, efektet negative janë sepse te njerëzit që rrjetet sociale i përdorin në masë të tepruar bëhen më asocial. Kështu, ata mund të afektohen shumë nga depresioni nga ankthet e ndryshme”, thotë ajo.

“Në anën tjetër kur ne jemi konstruktiv kur ne e dimë se çka po duam të kërkojmë, atëherë e shohim edhe anën pozitive të rrjeteve sociale sepse përmes tyre bëhen promovime të ndryshme, bëhen platforma të ndryshme, mësohet shumë prej tyre. Komunikimi është më i lehtë, është shumë e lehtë për kërkime të ndryshme, qoftë shkencore, qoftë sociale, do të thotë i kapim më shpejtë anët pozitive. Pra, e tëra varet nga mënyra e përdorimit”, thekson Mira Gashi Aziri.

Në anën tjetër, ekspertja nga agjencia e rrjeteve sociale, “Hallakate”, Diora Binxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë se varësia ndaj rrjeteve sociale në ditët e sotme mund edhe të menaxhohet.

“Varësia ndaj rrjeteve sociale në përgjithësi është shumë e menaxhueshme sepse tash kemi edhe aplikacione dhe vet telefoni, e sidomos pajisja iPhone-i, e mundëson që të ndalësh kohën se sa po i shfrytëzon rrjetet sociale”, tha Binxhiu.

Diora Binxhiu tha po ashtu se qasja në informata është më e lehtë dhe kjo ndikon që të rinjtë të interesohen më shumë për marrjen e informatave nga rrjetet sociale apo në një burim tjetër.

“Qasja në informata është shumë më e lehtë tash sesa që ishte ndonjëherë dhe çdo gjë që ty të intereson ose dëshiron të kuptosh, e ke menjëherë. Kur dëshiron ta kërkosh ndonjë restorant apo qoftë ndonjë hotel, apo diçka tjetër, nëse ai nuk ka prezencë online, atëherë është thjeshtë, si të themi i i vdekur për shkak se ty të është bërë si primare, si burim primar, ku t’i shkon dhe kërkon informata për atë edhe krijohet një varësi sepse për çdo gjë pastaj do të kërkosh përgjigje”, u shpreh Binxhiu.

Egzona Krasniqi është studente në Fakultetin e Filozofisë, në vitin e tretë. Ajo thotë se rrjete sociale, kryesisht i përdorë për qasje dhe komunikim me miqtë e saj, kështu duke mos mohuar faktin se ndonjëherë edhe e tepron me kohën që ajo e kalon në to.

“Koha që kaloj në rrjete sociale varet nga ditët dhe koha e lirë që e kam, kryesisht i përdori, varet se cilin rrjet social, por zakonisht qasem në to për punë ose për komunikim me miq. Normal, koha që e kaloj është e bollshme sa të shpenzoj kohë që nuk është nevoja dhe mendoj që ndikon keq në atë që po bëhemi njerëz virtual dhe të ndarë nga bota reale. Rrjetin social Facebook e shfrytëzoj më së shumti për punë, kurse Instagramin dhe Snapchat-in e kam për një qasje më të lehtë me shoqëri”, tha Krasniqi.

*Video nga arkivi: Të varur nga telefonat e mençur dhe interneti.

Sidoqoftë, rrjetet sociale janë bërë tashmë një nga format më të përdorura për njerëzit për të komunikuar me familjen, miqtë dhe kolegët, madje edhe kur ata ndodhen brenda shtëpisë së njëjtë, në dhomën tjetër apo edhe kur janë larg, diku në anën tjetër të botës.

Përveç të gjithë përfitimeve, njohësit e teknologjisë dhe krimeve kibernetike, vazhdimisht tërheqin edhe vërejtjen për rrezikun e madh që kanë rrjetet sociale për sigurinë dhe privatësinë, sidomos të atyre personave që ekspozojnë së tepërmi të dhëna personale nëpër këto rrjete.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme