Edicioni në gjuhën angleze i “Deutsche Welle” ka raportuar për gjykimin që iu bë tre policvëve kosovarë në Serbi, duke thënë se kjo e fundit ka vazhduar me procedurat e gjykimit duke i injoruar kërkesat e ndërkombëtarëve për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte.
Pas arrestimit të tre oficerëve kosovarë në Serbi, SHBA-të kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e tyre. Por prokurorët publikë po ecin përpara me akuza, duke rritur më tej tensionet, shkruan ky medium.
Një gjykatë serbe të premten urdhëroi vazhdimin e paraburgimit dhe hetimit ndaj tre policëve të Kosovës që u arrestuan në Serbi në fillim të javës.
Hapja e procedurave ligjore erdhi pasi i dërguari i posaçëm i SHBA për Europën Juglindore, Gabriel Escobar, kërkoi lirimin e oficerëve, në përputhje me kërkesën e Departamentit të Shtetit të SHBA një ditë më parë.
“Ata ose ishin marrë ose përfunduan në Serbi pa e pasur qëllim,” tha Escobar në një konferencë për shtyp në internet.
“Ata duhet të lirohen pa kushte”.
Serbia ecën përpara me hetimin
Zyra e Prokurorit Publik në qytetin serb të Kralevës tha se i kishte akuzuar tre policët për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve dhe substancave shpërthyese.
“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kralevë urdhëroi paraburgimin e të gjithë të dyshuarve”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë. Sfondi i arrestimit fillestar është kundërshtuar nga Serbia – e cila thotë se oficerët ishin thellë brenda territorit serb – dhe Kosova – e cila thotë se ata ishin rrëmbyer.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e përshëndeti thirrjen për lirimin e policëve dhe përsëriti anën kosovare të historisë: “Serbia i rrëmbeu ata, në një rrugë në Kosovë të përdorur nga kontrabandistët serbë”.
Frika nga rikthimi në konflikt të hapur
Arrestimi i policëve kosovarë është vetëm episodi më i fundit në përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensioneve mes dy fqinjëve.
Pjesëtarët e pakicës serbe në veri të Kosovës kanë protestuar kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave në qytetet e tyre pasi shumica e serbëve etnikë bojkotuan votimin.
Protestat shpërthyen në dhunë, me serbët e Kosovës që u përplasen me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO, disa prej të cilëve u plagosën në përleshje.
Serbia më pas urdhëroi që trupat e saj të vendoseshin në përballje dhe të ishin në gatishmëri më të lartë.
BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja u kanë bërë thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë situatën. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën e shpalli në vitin 2008 pas një lufte në fund të viteve 1990 që la mbi 10,000 njerëz të vdekur, shumica e të cilëve ishin nga komuniteti shumicë etnike shqiptare, përfundon artikulli i DW.
Spiropali në Azerbajxhan: Jo më qëndrime asimetrike në përba...
Në Prishtinë vendoset pllaka përkujtimore e dëshmorit Ismet ...
Veshja më e shtrenjtë në historinë e boksit – Jake Paul kish...
Irani mohon që i dërguari i tij në OKB është takuar me Elon ...
E ardhmja dhe sfidat e kombëtares kosovare nën udhëheqjen e ...
Shtohen aksidentet në Shqipëri