Dy partitë që duan të formojnë koalicionin qeverisës LVV dhe LDK, tashmë kanë harmonizuar programin qeveritar por, nuk po dakordohen për ndarjen e përgjegjësive. Posti i presidentit thuhet të jetë pika e debatueshme.
Dy subjektet politike që dolën të parat në zgjedhje, lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, ende po vazhdojnë bisedimet për koalicion qeveritar pa ndonjë marrëveshje finale, ndonëse kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë deri në konstituimin e kuvendit të ri të Kosovës.
Përfaqësuesit e të dy subjekteve politike thonë se ata tashmë kanë hartuar programin qeveritar, por nuk po merren vesh për ndarje të posteve. Posti i presidentit ndonëse nuk ishte pjesë e zgjedhjeve duket se është pika ku dy partitë nuk po merren vesh.
“Kanë mbetur edhe disa çështje që t’i diskutojmë edhe më tutje. Ajo që ne në LDK vlerësojmë që është themelore është që ne ta shtojmë mirëbesimin dhe respektin reciprok, që ne si partnerë të ardhshëm duhet të kemi besim dhe nëse ky besim mungon, atëherë do të kemi problem në lidhjen e marrëveshjes së koalicionit, sepse këto probleme do të shpërfaqen edhe më vonë”, u shpreh kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas një takimi me kryetarët e degëve të partisë së tij.
“Çështja e presidentit mendojmë, se është parimore dhe është çështje e mirëbesimit ndërmjet nesh më mënyrë që edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë dhe asnjëra të mos dalë super e fuqishme nga ky koalicion”, ka thënë Isa Mustafa.
“Ne zgjedhjet për president nuk i kemi tani dhe kur i vjen koha, organet e LDK-së do ta bëjnë publik edhe emrin për president. Nëse ne kemi besim si LDK që ta votojmë z.Kurti për kryeministër, atëherë presim që një besim të tillë duhet ta ketë edhe partneri jonë ndaj LDK-së, por nuk dyshojmë për këtë”, ka thënë Isa Mustafa.
Nga ana tjetër lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, që pritet të jetë kryeministër i Kosovës, thotë se në zgjedhjet e 6 tetorit qytetarët ua ka dhënë besimin këtyre dy partive (Vetëvendosjes dhe LDK-së) për të qeverisur vendin, dhe se asnjëra nuk kanë nga të shkojnë përveçse ta përmbushin vullnetin e popullit.
“Unë do të dëshiroja që këtë koalicion ta shoh qysh dje. Shpresoj që 24 dhjetori është datë që nuk do të kemi nevojë ta shfrytëzojmë, sepse do ta bëjmë më herët koalicionin. Ne mund ta vonojmë njëri-tjetrin por unë nuk mendoj se kemi ku të shkojmë. Shpëtim nuk ka vetëm vonim”, është shprehur Albin Kurti.
Njohësit e zhvillimeve politike, thonë se të dy partitë LVV dhe LDK, vështirë të gjejnë një kandidat konsensual e që është jashtë politikës.
“Nuk mendoj që në Kosovë mund të gjejnë një personalitet me një peshë kaq të madhe politike dhe shoqërore, i cili do t’i bashkonte Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo për faktin që dy partitë politike kanë pozicione të kundërta ideologjike dhe politike. Kështu që vështirë se është e mundur të gjendet një personalitet, që do të jetë i pranueshëm për të dy partitë”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.
Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën me 06.10 dhe që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se dy muaj që Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja. Prania ndërkombëtare në Kosovë vazhdon të bëjë thirrje për krijimin e institucioneve të reja, sepse sipas tyre në Kosovë ka shumë punë për t’u bërë.
Është ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, që disa herë e përsërit këtë kërkesë, duke thënë se procesi zgjedhor në Kosovë ka marrë shumë kohë.
“Ekziston një numër i madh i sfidave premtuese me të cilat mund të përballet qeveria e ardhshme. Formojeni këtë qeveri sa më shpejt që është e mundur, mblidheni Parlamentin pasi ka shumë punë që duhet të bërë. Arsimi është kyç, pastaj tregu i punës e shumë gjëra tjera”, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt. /dw
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës