Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq shkëmbyen replika në distancë rreth fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës i nxitur nga një deklaratë e presidentit të Serbisë Vuçiq, për “mosnjohje të pavarësisë së Kosovës”, tha se “nëse nuk ka njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë”.
Këtë deklaratë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti e bëri pas një deklarimi të presidentit serb, i cili tha se “deri në prill të vitit 2022, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, duke aluduar në përfundim të mandatit të tij si president. Në prill 2022 do të mbahen zgjedhjet e të reja presidenciale në Serbi.
“Ne kemi shumë çështje të rëndësishme. Por deri në prill të vitit 2022, kur ka zgjedhje, si për presidentin ashtu edhe për parlamentin, kjo nuk do të ndodhë. Pastaj le të vendosin votuesit”, citohet të ketë thënë Vuçiq. I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, i cili tha se “nëse nuk do të ketë njohje reciproke, nuk do të ketë as marrëveshje”. Hoti shkroi në facebook, se “deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut ndërmjet dy vendeve”.
Grindjet në distancë
“Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje”, shkroi Hoti në profilin e tij social, duke shtuar se “Kosova do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian”.
“Kosova mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura me Serbinë të përmbyllen përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së”, shkruan Hoti.
Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë më 4 shtator të këtij viti, ka nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Tramp, një marrëveshje për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nuk ka filluar së zbatuari akoma, ndonëse pala kosovare thotë se ajo marrëveshje do të zbatohet. Mediet në Serbi citojnë presidentin serb të ketë thënë se SHBA tash edhe pse me një president të ri, “nuk do të ndryshojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës, pa marrë parasysh se cila administratë është në pushtet”. Sipas Vuçiqit: “Është e vërtetë që ata (SHBA) po humbin durimin, por Serbia arrin të rezistojë dhe të vonojë”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 nën ndermjetësimin e Bashkimit Evropian, e që ka për synim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Dy javë më parë i ngarkuari i fundit i BE-së në dialogun Kosovë Serbi Mirosllav Lajçak, tha se procesi nuk është i bllokuar dhe takimi i radhës ndërmjet Hotit dhe Vuciq do të mbahet “sapo të krijohen kushtet”.
Lajçak për dialogun
“Unë jam i angazhuar për të lehtësuar bisedimet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me të cilën njëherë e përgjithmonë, do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe që kjo zgjidhje të jetë edhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së”, tha Lajçak para anëtarëve të Komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare të Parlamentit Evropian, duke potencuar se procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi është “një rrugëtim i gjatë dhe me shumë pengesa”.
Në fillim të dhjetorit Komisioni Evropian, miratoi një strategji për agjendën e re të raporteve transatlantike, më saktësisht raporteve mes Bashkimit Evropian dhe SHBA. Në këtë agjendë strategjike, Komisioni Evropian përmend edhe nevojën që BE-ja dhe SHBA të vazhdojnë bashkëveprimin edhe në Ballkanin Perëndimor, me theks të veҫantë në dialogun Kosovë-Serbi.
“Evropa i ka dhënë Ballkanit Perëndimor perspektivë të anëtarësimit në BE. Vazhdimi i partreritetit mes BE-së dhe SHBA-së dhe koordinimi i afërt në Ballkanin Perëndimor është thelbësor, posaçërisht në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne, duhet të punojmë së bashku për të mbështetur pajtimin, të përmirësojmë qeverisjen dhe të shtyjmë përpara reformat kyçe”, thuhet në tekstin e strategjisë së Komisionit Evropian për raportet mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. /dw/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...