Si mund të parandalojë Perëndimi një zjarr të ri në Ballkan? Sulmet e fundit në veri tregojnë se situata është shumë e brishtë.
Sulmi i fundit nga një njësi paramilitare serbe në Kosovë ndaj policëve shqiptarë është shembulli i fundit në një zinxhir aktesh të dhunshme në vitet e fundit që synojnë destabilizimin e shtetit më të ri të Evropës. Kjo u pasua nga mohimet e dyshimta të Beogradit se ai nuk kishte qenë i përfshirë në këtë operacion dhe se nuk kishte dijeni për të. Por menjëherë më pas, trupa masive të blinduara ushtarake serbe u vendosën në kufijtë e Kosovës, madje duke nxitur Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken të ndërhynte tek presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Shpresojmë që ky incident të ketë bërë që mbështetësit e fundit të politikës së qetësimit të ndryshojnë mendje. Miti që u përhap deri vonë se regjimi autokratik në Beograd ishte spiranca e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tashmë është diskredituar plotësisht, edhe pse Vuçiq ka kohë që i ka ndezur gjërat përmes vartësve të tij në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Një vit më parë, Uashingtoni e bëri parullën “Vuçiqi garantues i stabilitetit” si parimin udhëheqës të realpolitikës së tij ballkanike, me qëllim që ta çlironte Serbinë nga kontrolli i Rusisë dhe ta integronte atë në aleancën për ndihmën e Ukrainës. Por kjo “diplomaci e fantazive” më në fund ka arritur kufijtë e saj.
Pamjet e këtyre ditëve janë në mënyrë tronditëse të ngjashme me ato nga Kroacia në verën e vitit 1990, kur paraushtarakët serbë joshën në prita policët kroatë dhe qëlluan kundër tyre. Këto sulme filluan disa muaj përpara fillimit të luftës në qershor 1991. Një vit më vonë, ishin paramilitarët serbë ata që e shkëputën kryeqytetin boshnjak Sarajevë nga bota e jashtme që nga marsi i vitit 1992. Në atë kohë, presidenti serb Slobodan Milosheviq kishte hartuar një plan për të bashkuar të gjitha zonat e banuara me serbë në Jugosllavi në një shtet dhe për të krijuar një Serbi të Madhe.
Armatimi i Serbisë
30 vjet pas luftërave të ish-Jugosllavisë, në Beograd është vendosur një regjim që ndonjëherë më shumë e ndonjëherë më pak, haptazi kërkon të zbatojë projektin e Milosheviqit – i besuari më i afërt i presidentit Vuçiq është drejtori i fuqishëm i shërbimit të inteligjencës Aleksandar Vulin, protagonisti kryesor i projektit pasardhës “Serbia e Madhe”, i cili është riemëruar tani në “Bota Serbe”. I treti në këtë grup është ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, me të cilin Vuçiq drejtoi aparatin propagandistik të Milosheviqit në vitet 1990.
Treshja e Serbisë së Madhe rreth presidentit serb është bërë një rrezik i qartë dhe i menjëhershëm për fqinjët e Serbisë, të cilët janë shumë më të dobët ushtarakisht. Faktet e mëposhtme e tregojnë këtë: Që në vitin 2021, “Economist” shkruan, se Serbia ishte në një “xhiro të blerjeve të armëve”, dhe kështu po i frikësonte fqinjët e saj. Buxheti i armëve i Serbisë u rrit me 70% nga viti 2015 në 2021. Ndërsa deri më sot është dyfishuar në pothuajse 1,5 miliardë dollarë amerikanë, sipas të dhënave nga Instituti i Kërkimeve të Paqes në Stokholm SIPRI. Për krahasim, Kosova ka rreth 100 milionë euro buxhet për këtë. Edhe “Eidgenössische Technische Universität” nga Cyrihu (ETU) ka analizuar në një studim gjendjen me riarmatimin rajonal deri në 2021, ku konstatohet se riarmatimi i tepërt i Serbisë minon besimin në Ballkanin Perëndimor.
Shifrat nga Instituti Ndërkombëtar i Londrës për Studime Strategjike (IISS) ilustrojnë çekuilibrin e rëndësishëm ushtarak rajonal. Shembulli i tankeve luftarake e bën të qartë këtë. Me 212 tanke, forcat e armatosura serbe kishin dukshëm më shumë tanke se Kroacia (75), Bosnja (45) dhe Maqedonia e Veriut (31 përpara se t’ia dhuronte Ukrainës) së bashku. As Kosova dhe as Mali i Zi nuk kanë ndonjë “armë të tillë sulmuese”. Për krahasim, Bundeswehr ka 266 tanke luftarake. Kur bëhet fjalë për avionët luftarakë, avantazhi rajonal i Beogradit është edhe më i madh, pasi vetëm Kroacia ka 12 avionë të tillë, ndërsa Beogradi ka 30. Shumë media e kanë shtruar pyetjen se çfarë i duhet Serbisë gjithë ky armatim. Këtë e bëri edhe Al Jazeera, që pyet se çfarë synonte Beogradi me këtë riarmatim të paprecedentë rajonal?
“Bosnjizimi” i Kosovës?
Duke pasur parasysh këto fakte, nuk është për t’u habitur që Prishtina refuzon të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (“Zajednica”), e cila siguron një shkallë të lartë të autonomisë për dhjetë komunat me shumicë serbe të Kosovës. Duhet theksuar se Kushtetuta e Kosovës garanton të drejta të gjera të pakicave. Edhe pse pakicat e shumta etnike të Kosovës mezi përbëjnë më shumë se tetë për qind të popullsisë, 20 nga 120 mandate në Parlament janë të garantuara për ta, dhjetë prej të cilëve janë për serbët, që përbëjnë nga tre deri në pesë për qind të popullsisë. Ekziston edhe pjesëmarrja e garantuar gjithëpërfshirëse e pakicave në nivel komunal sapo të arrijë dhjetë për qind të popullsisë së komunës përkatëse.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka frikë se një asociacion i komunitetit serb do të krijonte një lloj Republika Srpska 2.0 si në Bosnjë-Hercegovinë. Autonomia e garantuar për serbët me Marrëveshjen e Dejtonit e ka sjellë Bosnjë-Hercegovinën në prag të luftës, pasi udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik po angazhohet për shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnja, e këtë e di edhe Vuçiqi.
Vendosja parandaluese e trupave shtesë
Çfarë mund të bëjë Perëndimi për të qetësuar situatën? Ai duhet të pranojë se aspiratat serbe për territoret e banura me serbë në Kosovë dhe Bosnje janë reale. Ndihmon vetëm përkohësisht stabilizimi i trazirave akute – aktualisht Kosovën. Por neglizhimi i situatës në Bosnjë mund të përshkallëzojë, sepse aty do të fillojë Beogradi, nëse frenohet nga NATO në Kosovë.
Praktikisht, do të kishte një zgjidhje të shpejtë duke forcuar misionet e suksesshme ushtarake të NATO-s dhe BE-së në Kosovë (KFOR) dhe Bosnje (EUFOR/Althea). Kjo është veçanërisht e vërtetë për EUFOR-in të zvogëluar shumë, në të cilin shërbejnë vetëm 1.350 ushtarë. Në fakt ekziston një shembull tekstual se si vendosja parandaluese e paqeruajtësve mund të parandalojë luftën dhe të pengojë një agresor të mundshëm: 30 vjet më parë, në janar 1993, OKB-ja stacionoi një forcë paqeruajtëse prej 1.000 trupash, gjysma prej të cilëve ushtarë amerikanë, në Maqedoninë e Veriut përgjatë kufiri me Serbinë për të penguar agresionin e Beogradit kundër fqinjit të tij jugor. Kjo forcë e vogël, e cilësuar lirshëm edhe si “tripwire”, në fakt arriti të sigurojë paqen në vend për shumë vite.
Kjo rezulton në opsionin e qartë të mbrojtjes së rajoneve të Kosovës dhe Bosnjës që kufizohen me Serbinë duke përdorur KFOR-in dhe EUFOR-in. Nëse trupat e NATO-s dhe BE-së do të monitoronin kufijtë e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ose Bosnjës dhe Serbisë, kjo do të ishte një garanci e papërshkueshme e sigurisë. Shembulli i misionit të OKB-së “Tripwire Macedonia 1993” vërtetoi pikërisht këtë.
Sigurimi i paqes së krijuar me kosto të lartë me disa njësi shtesë do të ishte padyshim një alternativë më e mirë sesa të bombardosh një ditë. Është e vështirë të imagjinohet një skenar më i lirë dhe më human për shmangien e konfliktit. /dw/
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag