Dumoshi: Vushtrria, qytet i pasur në kulturë e trashëgimi

16:26 | 17 Korrik 2020
Arbresh.info

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e shoqëruar nga zëvendësministrat Arber Grabovci dhe Engelbert Zefaj, kanë vizituar Komunën e Vushtrrisë për të inspektuar projektet infrastrukturore në të cilat po investon MKRS-ja.

Ata u pritën nga kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, me të cilin diskutuan për projektet në resorët të cilët i mbulon ministria, në kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Pas takimit në Komunë, Dumoshi e Tahiri vizituan stadiumin e Vushtrrisë, për të cilin MKRS-ja ka projektin që ky terren sportiv të shndërrohet në stadium të kategorisë së dytë të UEFA-së.

“Vushtrria njihet me sportistë e sportiste shumë të mira. Ne si ministri kemi planifikuar të investojmë në stadium. Më parë kemi nisur ndërtimin e tribunave por që kanë mbetur në gjysmë. I kemi paraparë 600 mijë euro për stadium dhe do të punojmë ngushtë me kryetarin dhe komunën që të punojmë në bazë të standardeve të parapara evropiane, duke e përmbushur edhe një prioritet të Qeverisë Hoti, për mbështetjen dhe zhvillimin e sportit në vendin tonë”, tha ndër të tjera ministrja.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen dhe investimin në shumë projekte të cilat janë të mirëseardhura për banorët e Komunës së Vushtrisë. Ai tha se Vushtrria merret shumë me futboll, ka nxjerrë futbollistë të talentuar dhe ka shkolla të futbollit të cilat kanë më shumë se 600 fëmijë, dhe se investimet e MKRS-së në këtë drejtim, shkojnë drejtpërsëdrejti në dobi të tyre.

Në kuadër të vizitës në Vushtrri, ministrja Dumoshi qëndroi edhe në objektin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” ku ministria është duke investuar mbi 1.2 milion euro.

Ministrja Dumoshi tha se Vushtrria është një qytet i pasur në kulturë e trashëgimi dhe se shtëpia e kulturës do të jetë multifunksionale ku do të ketë hapësira për ekspozita, salla koncertale e teatrale, të cilat do të jenë në shërbim të artistëve të Vushtrrisë.

“Jemi në objektin e Shtëpisë së Kulturës ‘Hasan Prishtina’, ku e shohim një punë jashtëzakonisht të mirë të punëkryesëve, që nuk e kemi has deri më tani në këtë inspektimin tonë që po e bëjmë gjatë këtij muaji, por më e mira e kësaj salle është harmonia të cilën e kanë paraparë projektuesit ku janë të përfshira aktivitetet e ndryshme kulturore”, u shpreh ministrja.

Ministrja po ashtu foli edhe për mbështetjen e trashëgimisë në Vushtrri, ku veçoi edhe shtëpinë e Mahmut Agë Gjinollit, e cila shumë shpejt do të hapet për vizitorë dhe do të jetë një pikë referuese turistike për vizitorë të ndryshëm.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren Dumoshi për tërë përkrahjen dhe përkushtimin që ka për Vushtrrinë. Ai tha se ministrja Dumoshi do të mbetet në zemrat dhe kujtesën e vushtrriasve për punën e palodhshme që po bën në mbështetje të projekteve të dobishme për Vushtrrinë të cilat do të ndikojnë që Vushtrria të ndryshojë edhe figurën e tërësishme të saj me investimet që MKRS-ja po bën në këtë komunë./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme