Sot Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka mbushur 76 vjet prej kur se është themeluar. Për shënimin e ditëlindjes së Bibliotekës, në hapësirat e objektit të saj është organizuar një ceremoni festive, në bashkëpunim të BKK-së me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në kuadër të ceremonisë u nënshkrua plani 5 vjeçar i ardhshëm i BKK-së dhe nga drejtori i Bibliotekës, Fazli Gajraku u prezantua historiku i punës së institucionit si dhe u organizuan edhe dy ekspozita për nder dhe kujtim të profesor Anton Çettës, shkrimtarit, patriotit, mbledhësit të folklorit dhe pajtuesit të gjaqeve.
Të pranishmit patën rastin që të shohin ekspozitën “Anton Çetta : 100-Vjetori i lindjes” me libra dhe artikuj të/për Anton Çettën në koleksionet e BKK-së. Po ashtu, edhe ekspozitën e fotografisë: “Anton Çetta: 30-Vjetori i pajtimit të gjaqeve” ku u paraqiten fotografi të publikuara për herë të parë për publikun e gjerë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kryesuesi i Këshillit Drejtues të BKK-së, Osman Gashi dhe shumë personalitete tjera.
Ministrja Dumoshi tha se sot është një datë e shënuar jo vetëm për BKK-në, sepse nëpërmjet kësaj dite po kujtohen gjithë brezat që kanë dhënë mundin e dijen për këtë institucion të rëndësishëm shtetëror që prej vitit 1944.
“Sot gjendemi në një vend të veçantë, në Bibliotekën Kombëtare, “Pjetër Bodgani”, ky vend është tempull i dijës, ku kanë studiuar gjenerata të tëra intelektualësh të mëhershëm dhe të sotëm, të profileve e fushave të ndryshme të shkencës, kulturës dhe artit”, u shpreh ministrja Dumoshi, e cila tregoi edhe për rritjen e buxhetit të Këshillit të Librit për botimin dhe pasurimin e sa më shumë titujve të librave të rinj, e që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me punën që Biblioteka bën.
Ministrja Dumoshi, tha se për shkak të pandemisë, kontakti i lexuesit me librin e bibliotekën ka qenë pothuajse i pamundur, prandaj i është dhënë përparësi digjitalizimit të materialeve dhe fondit bibliotekar ashtu që lexuesi të ketë qasje në materiale të digjitalizuara.
Gjithashtu ministrja foli edhe për muajin e Anton Çettës, që për nder të figurës së tij, Qeveria e Kosovës, muajin nëntor e ka shpallur Muaji i Anton Çettës. “Biblioteka e Kosovës po organizon sot aktivitete për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, i njohur për ndikimin e tij si mbledhës i folklorit, përkthyes, shkrimtar, e si veprimtar e prijatar i pajtimit gjatë viteve 90-të”.
Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, foli për të ardhmen dhe objektivat që ka Biblioteka në të ardhmen, ndonëse ky vit ka qenë shumë i vështirë, vlerësoi ai. “Në kuadër të bibliotekës digjitale tashmë kemi mijëra materiale digjitale dhe është duke u vazhduar digjitalizimi i njësive fizike duke e pasuruar kështu arkivin digjital”, sqaroi drejtori kur foli për procesin e digjitalizimit të materialeve në bibliotekë.
Osman Gashi kryesues i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, foli për punën e këshillit dhe bashkëpunimin me menaxhmentin e BKK-së dhe ka shtuar se biblioteka ka mbijetuar njëjtë ashtu siç ka mbijetuar Kosova, duke kujtuar dhe vlerësuar rëndësinë që ka luajtur ky institucion i kulturës në Kosovë.
Ndërsa, Rektori i UP-së, Naser Sahiti ka thënë se UP-ja dhe BKK-ja kanë një bashkëpunimi të ngushtë i cili është jetik për institucionet e arsimit të lartë./arbresh.info/
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...