Google ADS

“Duaje jetën-Duaje vetën”, motoja e Policisë së Kosovës kundër vetëvrasjeve

17:11 | 29 Prill 2021
L G

Nën moton “Duaje jetën –Duaje veten”, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, zhvillon aktivitet të veçantë.

Krahas angazhimeve të vazhdueshme policore, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aktivitet sensibilizues në kuadër të vazhdimësisë së projektit të nisur “Parandalimi i Vetëvrasjeve” të filluar nga muaji tetor i vitit 2020, shkruan arbresh.info.

Në promovim dhe mbështetje të realizmit të projektit, në aktivitetin e sotëm ka marrë pjesë edhe Drejtori Rajonal – Kolonel Afërdita Mikullovci.

Referencë për inicimin dhe realizimin e një projekti të kësaj natyre, ishte hulumtimi i realizuar një vit më parë nga DRP-ja e Mitrovicës, hulumtim i cili kishte për qëllim identifikimin e faktorëve dhe motiveve që qojnë në kryerjen e akteve të tentim vetëvrasjeve dhe vetëvrasjeve.

Me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie mjaft shqetësuese si për individin, familjen dhe shoqërinë në tersi, në bashkëpunim me OJQ-në ” Diakonie”, është përgatitur projekti dhe janë identifikuar target-grupet për veprim të përbashkët dhe fazat e veprimit të projektit.

Në fazën e parë bashkë me psikologë të OJQ-së “Diakonie” janë realizuar ligjërata me nxënësit e shkollave të mesme të rajonit të Mitrovicës. Ndërsa në fazën e dytë është planifikuar përzgjedhja dhe përgatitja e mesazheve motivuese për jetën e të cilat mesazhe besohet se do të ndikojnë në parandalimin e dukurisë në fjalë.

Rreth 150 mesazhet me përmbajtje të kësaj natyre janë shpërndarë sot nga zyrtarët policorë dhe psikologët nëpër sheshet, parkun e qytetit, liqenin akumulues dhe në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë si vende me të frekuentuara nga qytetarët.

Realizimi i këtij projekti edhe një herë dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë, që në partneritet me komunitetin dhe OJQ- të, të shërbejë si model i bashkëpunimit të ndërsjellë në promovimin e vlerave individuale, kolektive për një ngritje të vetëdijesimit në parandalim të dukurive negative dhe kontribut në sigurinë e përgjithshme./arbresh.info/

Të ngjashme