Google ADS

DS: Sistemi arsimor, në krizë të thellë

13:52 | 22 Qershor 2017
Arbresh.info

Organizata Studentore “Demokracia Studentore“ përmes një komunikate për media ka reaguar për gjendjen e arsimit në Kosovë të cilën sipas tyre e ka degraduar Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami.

“Natyrisht, si në çdo vend, edhe në Kosovë përgjegjësinë kryesore për t`i zgjidhur problemet me të cilat shoqërohet arsimi , e ka Ministria e Arsimit. Të gjithë ne e dimë që sistemi arsimor në Kosovë është në krizë të thellë, por çështja është se si të dalim nga kjo krizë. Pse pikërisht ky vit i shpallur nga ministria e arsimit si vit i cilësisë po dëshmon të kundërtën, ashtu si vitet tjera?”, thuhet në komunikatë.

Mexhid Ramusa nga Demokracia Studentore ka thënë se defektet kryesore janë pikërisht tek Ministria e Arsimit dhe strukturat e saj, duhet të ndryshojë qasjen që ka në udhëheqjen e sistemit arsimor.

“Për t`i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor nuk mjafton vetëm të analizohet dhe proklamohet, por edhe të veprohet konkretisht dhe te mirret prokuroria me inspektorët e korruptuar. Edhe ministria jonë si shumica e ministrive të shteteve të tjera evropiane ka pranuar reformat në sistemin arsimor, por ky sistem te ne reformimi si duket ka mbetur vetëm në letër”, thuhet në komunikatë.

Sipas Demokracisë Studentore nëpër shkolla fillore dhe të mesme dhe universitete të Kosovës punojnë një numër i konsiderueshëm i profesorëve të padiplomuar, ose të diplomuar në format më të këqija të mundshme. Por, ka edhe shumë mësimdhënës, të cilët edhe pse janë të diplomuar nuk punojnë sa duhet me nxënësit, studentët ose të tillë që vejnë në shkollë vetëm sa për të kaluar kohën! Asnjë veprim nuk është ndërmarrë në këtë drejtim nga Ministria e Arsimit.

“Rektorët, Dekanët dhe Drejtorët e shkollave nuk janë zgjedhur si rezultat i asaj që e meritojnë të jenë drejtorë, por ata i ka zgjedhur politika ditore! Në të njëjtën formë janë zgjedhur edhe shumica e drejtorëve të Drejtorive Komunale për Arsim! Është gabim shumë i madh që tek ne posti i drejtorëve komunalë të arsimit është post politik. Kjo praktikë duhet të ndryshohet patjetër në qoftë se duam cilësi! Nuk na duhen drejtorë të pa aftë për mbarëvajtjen dhe organizimin e punës dhe drejtorë që nuk i do njeri, të cilësdo parti politike qofshin ata”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme