Kosova brenda dy javësh mund të përballet me një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili e ka përshkruar situatën si mjaft alarmante.
Ai thotë se alarmin për arritjen në një situatë të tillë, si e tanishmja, e ka paralajmëruar një vit më parë.
“Ishte dashur që të jetë alarmante edhe më herët, kur ne para një viti kemi njoftuar se i kemi ndalur operimet për shkak të bllokimit apo pamundësisë për ta zgjeruar minierën në drejtim të fshatit Shipitullë (Komuna e Obiliqit), për shkak të ndërtimeve jolegale, para ekskavatorëve. Fatkeqësisht, ne në dy javët e ardhshme, do të dalim me një plan emergjent, që nënkupton se duhet t’i ndalim disa njësi gjeneruese ose ta kemi një gjenerim të kufizuar, për shkak të mundësive apo rezervave të kufizuara që i kemi për marrjen e qymyrit në atë pjesë”, tha Gjuka.
Ai shpjegon se procedurat për marrjen e pronësisë së 52 hektarëve, të cilat janë pronë private, kanë nisur nga KEK-u në vitin 2012, por sipas tij, institucionet e caktuara e kanë neglizhuar procesin e shpronësimit të asaj hapësire, e cila tashmë është zonë e interesit kombëtar. Sipas tij, tashmë ligjet janë shkelur dhe në atë zonë ka pasur ndërtime të egra apo jolegale, të cilat siç thotë Gjuka, në bazë të informacioneve dhe regjistrimeve në terren, kanë qëllim përfitimin personal të ndonjë grupi apo personi të caktuar.
Sipas tij, përgjegjësinë për ndërtimet jolegale në zonën ku është dashur të shtrihet miniera e kanë institucionet qendrore dhe lokale.
“Fillojmë nga institucionet komunale, deri te ato qeveritare, përfshirë këtu Komunën e Obiliqit, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konkretisht inspektorati kombëtar për ndërtime jolegale”, tha Gjuka.
Musa Shabani, kryetar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, thotë se KEK-u e ka licencën për shfrytëzimin minerar në zonën në të cilën janë shfaqur problemet për shpronësimin e pronave.
“Ky është problem, faktikisht, i Qeverisë. Për sa di unë, Qeveria tashmë është duke u marrë me këtë çështje”, tha Shabani.
Por, pavarësisht insistimit zyrtarët e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik e Qeverisë së Kosovës në largim, ministri kjo përgjegjëse për energjetikën, nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje.
Por, a ka forma alternative të furnizimit me energji elektrike në rast të përballjes me një krizë energjetike?
Gjuka thotë se Korporata Energjetike e Kosovës nuk është përgjegjëse për një gjë të tillë, sepse ajo ka licencë vetëm për gjenerim të energjisë elektrike.
“Ka muaj qe ne i kemi njoftuar palët tjera, përfshirë edhe Zyrën e Rregullatorit Energjetik (ZRRE) dhe të licencuarit tjerë që e kanë përgjegjësinë për furnizim të qytetarëve. Tani presim që në këto dy javët e fundit t’i harmonizojmë dhe marrim vendimet konkrete, varësisht prej vendimeve të tyre. por, KEK-u nuk e ka atë mandat dhe atë mundësi”, tha Gjuka.
Shpronësimet dhe zhvendosjet nga këto zona, të cilat janë potenciale si miniera qymyri,kanë nisur që nga viti 2002. Fillimisht, ato kanë nisur nga institucionet e atëhershme të përkohshme, dhe më pastaj kanë vazhduar edhe nga Qeveria e Kosovës më 2009, kur edhe është shpallur Zonë e Interesit të veçantë ekonomik.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës, më 21 korrik, në mbledhjen e saj të rregullt, ka miratuar vendimin për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesi, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike, për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, zona kadastrale Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq.
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj dy të dy...
Zelensky thotë se kurrë nuk ka pasur marrëveshje të arritur ...