Drejtori i EQAR-it: Përjashtimi i Kosovës do t’i izolojë studentët kosovarë

22:49 | 2 Mars 2018
M. A.

Përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (European Quality Assurance Register for Higher Education – EQAR) do të ketë pasoja të mëdha për studentët e diplomuar kosovarë që duan të vazhdojnë studimet në ndonjë universitet ndërkombëtarë.

Drejtori i EQAR, Colin Tuck i ka thënë se pas përjashtimit të Kosovës nga organizata që ai e drejton, do të komplikohen jashtëzakonisht procedurat e aplikimit në Universitete ndërkombëtare, për studentët e Kosovës.

“Është e sigurt që procesi i aplikimit të studentëve kosovar në universitete ndërkombëtare, tashmë do të jetë më i gjatë dhe më i vështirë për shkak të procedurave shtesë që do të bëjnë universitetet evropiane”, ka thënë për Insajderin, drejtori i EQAR, Colin Tuck.

Fillimisht Kosova duhet të presë edhe 90 ditë apo 3 muaj që të ketë të drejtë të fillojë procedurat e ri-regjistrimit në EQAR, për shkak të rregullave. Një gjë e tillë për Agjencinë e Kosovës për Akreditim mund të jetë edhe më e zorshme pasi ajo është përjashtuar për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë Agjenci.

Drejtori i EQAR, Colin Tuck i tha Insajderit se probleme më të mëdha do të kenë studentët që do të diplomojnë në Universitetet që do t’i akreditojë përbërja e re e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, bordi i ri i së cilës është emëruar nga Qeveria dhe i është dërguar për votim Kuvendit të Kosovës.

“Përjashtimi i AKA-së nuk do të thotë domosdoshmërisht që diplomat e Universiteteve në Kosovë nuk do të njihen më, por njohja mund të jetë më e vështirë për ato diploma që do të lëshohen nga universitetet që do të akreditohen pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR”, ka thënë Tuck.

Për mënyrën e përzgjedhjes së Bordit të ri të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Qeveria e Ramush Haradinajt, ka shprehur shqetësimet edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie. Me 18 nëntor, Bekim Samadraxha i cili mori detyrën pas shkarkimeve që i bëri Haradinaj Bordit dhe drejtorit, i kishte dëguar letër Colin Tuck, duke i shprehur shqetësimet për “mënyrën e emërimeve pasi ka pasur mungesë të transparencës, për çka ministri i Arsimit nuk i ka dhënë asnjë informacion AKA-së”.

Drejtori i EQAR e thotë qartë se vendimi për shkarkimin e bordit nga ana e kryeminsitrit Hardinaj,

“Siç është theksuar në vendimin tonë, AAK është përjashtuar që nga data 25/9/2017, pasi ne konsiderojmë se me shkarkimin e Bordit , po atë ditë ka humbur aftësia e AKA-së për të vepruar në mënyrë të pavarur”, thotë Tuck.

Megjithatë Tuck jep një lajm të mirë për studentët kosovarë të cilat kanë diploma nga universitet e akredituara nga Bordi paraprak.

“Regjistrimi i AKA-së para asaj date (para se të përjashtohet nga EQAR v.j) nuk është revokuar. Prandaj konsiderojnë se akreditimet e AKA-së që janë bërë deri sa ka qenë në Regjistër, janë bërë në pajtim me standardet evropiane (ESG) – por duhet ta përsëris se kjo nuk do të vlejë për universitetet që do të akreditohen pas përjashtimit të AKA-së”, ka thënë Tuck.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme