Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, drejtori për Siguri të Burgjeve të Kosovës, Burim Buleshkaj, drejtori i burgut të Pejës, Isuf Iberdemaj, ai i Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani, si dhe gardiani Nazim Zekolli, mund t’i shpëtojnë ndëshkimit.
Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë nuk e sheh si shkelje darkimin e këtyre drejtorëve me biznesmenin Blerim Potera, i dënuar për dy vepra penale dhe dy të tjera në procedurë.
Kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, i ka thënë “Arbresh.info” se hetimi ndaj këtij rasti ende nuk ka përfunduar, edhe pse janë bërë më shumë se një muaj nga fillimi i hetimeve.
Por sipas Topallit gjasat që 4 drejtorët e burgjeve dhe gardiani të ndëshkohen janë të vogla. Ai nuk e sheh si shkelje fotografinë e drejtorëve me ish-të burgosurin Potera duke darkuar.
“Nuk besoj që ka shkelje të rënda aty, për faktin se personi në fjalë ka qenë i dënuar jo për trafikim me armë qysh është proklamuar, por ka qenë vetëm për përdorim të një revoleje, kjo ka qenë para 9 viteve i burgosur 3 apo 4 muaj. Në fillim sa kam inspektuar dhe deri në momentin e fundit nuk ka pasur ndonjë shkelje të rëndë disiplinore”, është shprehur Topalli.
Sipas tij, fakti që drejtorët e burgjeve kanë dalë në darkë me një ish të dënuar, nuk përbën shkelje.
“Edhe unë ndodh me dalë në darkë me një ish-të burgosur, ndodh kjo. Ne jemi Kosovë, jemi vend i vogël. Edhe në Parlamentin e Kosovës ka njerëz që kanë qenë nëpër burgje edhe s’mundesh t’i akuzosh kryetarin e shtetit dhe të qeverisë se pse po rrinë me ata”, ka thënë kryeinspektori i MD-së, Ylber Topalli.
Sipas Topallit, në këtë rast nuk ka asgjë tjetër përveç thyerjes së kodit etik që është neni 22, e që sipas tij mund të jetë ndonjë vërejtje, përfshirë masa tejet të buta edhe këshilla për më shumë kujdes në të ardhmen.
“S’ka diçka masë që kisha mund të rekomandoj për raste të tilla, sepse nuk është shkelje e lartë. Për mendim timin do të duhej të mos ndëshkoheshin, por ende nuk e kam përfunduar raportin”, është shprehur kryeinspektori i MD-së.
IKD: Drejtuesit e institucioneve publike, duhet të përmbahen nga sjelljet dhe veprimet
Zyrtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se drejtuesit e institucioneve publike, duhet të përmbahen nga sjelljet dhe veprimet, të cilat mund të perceptohen si sjellje të pahijshme dhe jo etike nga qytetarët.
Drejtor ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu, se duke mos paragjykuar rastet konkrete, vlerëson se Kodi i Sjelljes dhe Etikës Profesionale ndalon që bartës të institucioneve publike të shoqërohen me individë që janë të përfshirë apo kanë të kaluar kriminale, sepse kjo cenon rëndë integritetin e tyre dhe krijon perceptim të keq tek qytetarët, të cilëve ju shërbejnë.
“Mekanizmat e llogaridhënies duhet të jenë funksionalë që të sigurojnë se bartësit e funksioneve publike ushtrojnë kompetencat e tyre në përputhje me ligjin dhe se sjelljet e tyre janë në kuadër të Kodit të Etikës në mënyrë që mos të cenohet integriteti i bartësve të funksioneve publike dhe vetë institucioneve publike”, tha Betim Musliu drejtor ekzekutiv i IKD-së.
Kush është Blerim Potera
“Arbresh.info” ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës të kuptoj më saktësisht se për çfarë vepre penale ishte dënuar biznesmeni Blerim Potera, për të cilin edhe po hetohen drejtorët e burgjeve.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka thënë se Potera është dënuar nga kjo gjykatë për dy vepra penale.
“Procedura penale ndaj B.P është zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda, ku i njëjti është akuzuar për veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 188 par.1,nënpar.1.1 të KPRK-së dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 600 Euro”, ka thënë Gashi.
Sipas saj, biznesmeni Potera ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale Lajmërimi apo kallëzimi i rremë nga neni 390 par.1 të KPRK-së, për të cilën vepër sipas saj, më 5 prill 2016 Gjykata e kishte dënuar Poterën me gjobë në shumë prej (dyqind euro) 200 Euro .
Por nuk janë vetëm këto dy raste. Ndaj biznesmenit, Blerim Potera janë duke u zhvilluar edhe dy procedura të tjera penale.
“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë në procedurë gjyqësore dy lëndë ndaj të akuzuarit B.P. “Në Departamentin për Krime të Rënda është në procedurë rasti me të cilin B.P është i akuzuar për shkak të veprës penale Mbajtja në pronësi, të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së, ndërsa rasti tjetër është në procedurë në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni për Çështje Penale ku B. P është i akuzuar për shkak të veprës penale nga neni 185 par.1 dhe neni 188 par.2”, është shprehur Gashi.
Ndryshe, drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, drejtori për Siguri të Burgjeve të Kosovës, Burim Buleshkaj, drejtori i burgut të Pejës, Isuf Iberdemaj, ai i Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani, si dhe gardiani Nazim Zekolli, janë duke u hetuar nga Inspektorati i MD-së. Hetimi i tyre ishte urdhëruar nga ministrja e drejtësisë Dhurata Hoxha, pas skandalit që u publikua në media, ku katër drejtorët dhe gardiani shiheshin duke darkuar me ish të burgosurin, Blerim Potera./ Arbresh.info/Gita Lushi
Të shtëna me armë në Prishtinë, arrestohet një person
Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë
Berisha ka dy kërkesa para mbledhjes së përbashkët të kuvend...
Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Ç...
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%