Gjykimi ndaj ish-ministrit dhe zëvendëskryeministrit aktual, Fatmir Limaj dhe të tjerëve, të akuzuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin, në rastin e njohur si MTPT, po shkon drejt fundit.
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga ora 13:00, pritet që prokurori i çështjes Charles Hardaway, të jep fjalën përfundimtare në këtë rast.
Prokurori i EULEX-it, Hardaway pritet të paraqet vlerësimin e tij për provat e shqyrtuara në të gjitha seancat gjyqësore.
Kurse, fjalën përfundimtare, mbrojtja dhe të akuzuarit, është paraparë ta jepin nesër, më 22 nëntor, por ekziston mundësia që një gjë e tillë të ndodhë sot, nëse prokurori nuk e zgjatë fjalën e tij përfundimatre.
Ndërsa, është paraparë, që të premten, më 24 nëntor, të shpallet aktgjykimi në këtë rast.
Ndryshe, në seancën e fundit, Gjykata Themelore kishte refuzuar kërkesën e Limajt për të ftuar në cilësinë e dëshmitarit ish-kryetarin e gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.
Po ashtu, në atë seancë, kryetarja e trupit gjykues Marie Tuma, kishte shpallur si prova të papranueshme sms-të, që ishin gjetur në banesën e Fatmir Limajt, pas bastisjes në vitin 2010, dhe të cilat prokuroria pretendonte se në mes të akuzuarve Endrit Shala dhe Florim Zuka, janë diskutuar dallavare lidhur me tenderët e rrugëve.
Tuma, gjithashtu kishte refuzuar raportin për ekspertizën e kopjeve fizike të komunikimeve, të ekspertit portugez Francisko Manuel Dos Ramos Nunes, i cili ishte angazhuar nga mbrojtja e të akuzuarve, Endrit Shala dhe Florim Zuka.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.
Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.
Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.
Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.
Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë.
Vuçiq pyetet për rrezikun real të një lufte me Kosovën: Më k...
Dabiqaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda