Google ADS

Drecun: Fitorja e Listës Serbe, dëshmi se Serbia është në Kosovë

11:43 | 12 Qershor 2017
M. A.

Drecun ka thënë “se u dëshmua që përmes Listës Srpska, shteti i Serbisë do të jetë pashmangshëm i pranishëm në Kosovë”.

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka vlerësuar sot se rezultatet në zgjedhjet e Kosovës kanë qenë të pritshme, por, sipas tij, ato do të ndihmojnë në destabilitetin afatgjatë politik.

“Duhet parë se si qeveria e re e zgjedhur do të përcaktohet ndaj Marrëveshjes së Brukselit, Asociacionit të Komunave serbe”, ka thënë Drecun duke vlerësuar se pas zgjedhjeve, Lista Srpska “ka kapacitet të plotë që me paraqitjet unike politike të mbrojë interesat e veta”.

Ai ka thënë, njofton Tanjug, se “është arritur uniteti i përfaqësuesve politikë serbë “ dhe ky, sipas tij, nuk do t’i lërë vend shqiptarëve të ndërhyjnë e të përzihen duke shtuar se askush nuk mund të kontestojë më se Serbia është faktor i vetëm dhe i patejkalueshëm që mund të flasë në emër të popullit serb në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se përgjigjja e serbëve për zgjedhjet e të dielës në Kosovë tregon se ata e kanë kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve dhe lidhjeve me Qeverinë e Serbisë.

Drecun ka thënë “se u dëshmua që përmes Listës Srpska, shteti i Serbisë do të jetë pashmangshëm e i pranishëm në Kosovë”.

“Nëse ky koalicion i ofron Listës Srpska hyrje në pushtetin ekzekutiv, e ai mbetet te qëndrimi se nga AKS nuk ka asgjë… atëherë si do të mundë të hynin përfaqësuesit serbë në atë Qeveri?

Mendoj se do të ketë përpjekje që nga një palë shqiptare me çdo kusht të evitohet kapaciteti që tani e kanë përfaqësuesit politikë serbë. Nga ana tjetër, do të kemi presion të bashkësisë ndërkombëtare, Brukseli e Washingtoni që në Qeverinë e re të jenë gjithsesi, siç thonë ata, minoritetet. Atyre më së shumti do t’iu përgjigjej që ata të jenë serbët”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme