Drecun: Edhe po të mos e ndalojë askush tjetër, Haradinajn e arreston Serbia

09:16 | 3 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Serbia asesi nuk po mund të pajtohet me faktin se INTERPOL-it, i cili hoqi nga lista e të kërkuarve kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe 17 persona të tjerë, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kishin urdhër-arreste nga Serbia.

Kryetari i Komisionit të Kuvendit të Serbisë për “Kosovë dhe Metohi”, Milovan Drecun, ka thënë se INTERPOL-i nuk ka shfuqizuar urdhër-arrestin për Ramush Haradinaj, por “e bëri të padukshëm për vende të tjera, përveç për Serbinë”.

“Urdhër-arresti është bërë i padukshëm, që do të thotë se Haradinaj mund të shkojnë në Francë apo ndonjë vend tjetër, dhe askush mos ta ndalojë, por në qoftë se vjen në territorin e Serbisë qendrore, nuk do të jetë ashtu”, tha Drecun, duke shtuar se nuk mund të shmanget konstatimi se vendimi i INTERPOL-it është politik.

Sipas tij, vendimi ishte “tmerrësisht tërheq prapa dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës i cili zhvillohet në Bruksel, sepse pas kësaj nuk mund të flitet për pajtimin”, raporton B92, përcjell Telegrafi

“Ky vendim është i dëmshëm dhe shkatërrues për realizimin e drejtësisë, me të diskriminohen viktimat, por edhe shteti i Serbisë, që nuk është në gjendje të zbatojë drejtësinë”, tha Drecun.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq ka thënë më parë se në qoftë se Ramush Haradinaj do të jetë në dispozicion të organeve serbe të sigurisë, ai do të arrestohet, sepse ndaj tij ekziston një urdhër-arrest i gjykatës serbe.

Stefanoviq shtoi se Serbia do t’i kërkojë INTERPOL-it të rishikojë vendimin e saj dhe shprehu besimin se Serbia do të ketë përsëri një urdhër-arrest aktiv, i cili do të jetë i dukshëm në çdo vend të botës.

MUP-i serb më parë kishte njoftuar se Ministria e Brendshme e Serbisë do t’i paraqes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së krimeve të luftës iniciativën që së bashku të apelojnë vendimin e INTERPOL-it, sipas të cilit më nuk është në fuqi urdhërarresti i Serbisë për Ramush Haradinaj dhe 17 personave të tjerë./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme