Draftraporti i prezantuar sot nga Lord Mark Lancaster nga Mbretëria e Bashkuar ka përfshirë edhe një raport të organizatës joqeveritare “International Crisis Group” në të cilin thuhet se zyrtarë të KFOR-it patën negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë.
Në këtë draftraport të titulluar “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s”, jepen detaje për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar ku humbi jetën, heroi Afrim Bunjaku.
“Pas një periudhe të shkurtër të depërshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjskë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjskës dhe kufirit me Serbinë si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë lansues raketash anti-tank, lansues mortajash dhe granatash, mina anti-tank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, thuhet në këtë draftraport.
Ndryshe, më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ndër të tjera, ka gjetur sasi të mëdha armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.
Radoiçiq u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Ai tashmë gjendet në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest.
Ndër të tjera, Lord Mark Lancaster ka bërë thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes dy kryeqyteteve fqinje, duke kërkuar vëmendje të shtuar të aleatëve në këtë drejtim.
“Aleatët duhet të përdorin korniza konsultative për të avancuar çështjen lidhur me statusin e Kosovës. Ata që nuk e njohin statusin e Kosovës, mund të mendojnë pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në partneritetin për paqe”, ka deklaruar ai./Arbresh.info/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...