Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), sipas Dosjes se Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), akuzohet se KEK-ut i ka shkaktuar dëm mbi 3.2 milionë euro dhe mbi 500 mijë euro shmangie tatimore në dem të Republikës së Kosovës.
Krasniqi, po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së e ngritur dy ditë më parë, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se, operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.
Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.
Nga provat e prokurorisë, tregohet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licensë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë.
Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicensuar.
Tutje, thuhet se ZRrE më 19.08.2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.
Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura me lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.
Kjo përgjigje e grupit punues sipas prokurorisë nuk ishte dërguar e plotë. E-maili i përcjelle nga Eljas Jashari, thuhet se ishin dërguar vetëm komentet mospajtuese që kundërshtonin të gjeturat e ZRrE-së, duke konsideruar se nuk kishin nevojë për licenca shtese, meqë të njëjtat ishin të licencuara në shtetet e tyre.
“Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRrE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, thuhet se edhe nga opinioni i zyrës ligjore të KEK-ut, ku në ‘cc’ ishte edhe vetë i pandehuri Krasniqi, i ishte dhënë të drejtë ZRrE-së, duke e vë në dijeni të akuzuarin Krasniqi që duhet të respektohet rregullatori pasi është autoriteti shtetëror që ka kompetencë për këtë fushë. Madje, sipas këtij opinioni edhe kur KEK-ka dërguar rastet në Gjykatë, ZRrE ka fituar rastet dhe kërkesëpaditë e tyte janë refuzuar, pasi kompetenca e tyre është përfundimtare për çështjet e energjisë elektrike.
Nagip Krasniqit, sipas aktakuzës i ishte dërguar edhe një email nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë duke kërkuar nga i Krasniqi konfirmimin nëse duhej tregtuar me operatorin “HSE”, duke theksuar se nga përgjigja dërguar ZRrE-se, nënkuptohej se duhej të vazhdohej tregtimi.
I akuzuari Krasniqi ishte përgjigjur “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRrE-së”. Si pasojë e kësaj, tregtimi me ketë operator të pa licensuar kishte vazhduar deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në maj 2023, përkatësisht gusht 2023.
Me konfirmimin që drejtori operativ Luigj Imeri kishte kërkuar nga kryeshefi Krasniqi, në këtë korrespodencës, sipas prokurorisë thuhet se pas përgjigjes së Krasniqit Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri ishin tallur.
“Hahaha ja ke prish tripat”, “Ej qetu Luigji ka pas me dhanë dorëheqje…i paska ra pishman”, ishin replikat në ketë e-mail zyrtar.
Operatori nga Sllovenia thuhet se nuk ishte në listën e kompanive të licencuara e sipas ARBK-së, as e regjistruar si biznes në Kosovë.
Tutje, në aktakuzë bëhet e ditur se pas shkresës se KEK-ut të 7 gushtit 2023, vërtetohet se pas arrestimit të Nagip Krasniqit (për çështje që nuk ndërlidhen me këtë rast), KEK me date 19.05.2023 fillimisht kishte njoftuar “HSE” se po e pezullonte bashkëpunimin për ta njoftuar me vonë se po e shkëpusin kontratën në mungese të licencës se lëshuar nga ZRRE, duke e njoftuar se në momentin që “HSE” dëshmon posedimin e licencës të lëshuar ose të njohur nga ZRRE, atëherë KEK mund të iniciojë procesin e nënshkrimit të një kontrate të re.
Deklarata e Nagip Krasniqit në Prokurori
Në mbrojtën e dhënë në prokurori, i akuzuari, Nagip Krasniqi kishte thënë se KEK-u kishte marrëveshje me të gjitha kompanitë që kishin qenë të licencuar në Kosovë dhe në shtetet që kishin qenë anëtarë të komunitetit të energjisë të cilat sipas Ligjit për Energji Elektrike nuk kishin nevojë për rilicencim në Kosovë, duke thënë se edhe “HSE” ishte pjesë.
Krasniqi, kishte thënë se KEK-u që nga viti 2018 kishte kontratë të veçantë për tregtim të energjisë elektrike me “HSE” dhe tregtarët tjerë dhe se “HSE”-ja kishe bërë aderimin e rregullt të tregut në Kosovës tek KOSST.
Lidhur me nënshkrimin e kontratave “HSE” ai kishte thënë se edhe vetë do ta kishte nënshkruar, por për shkak të ngarkesës me punë këtë kompetencë ia kishte bartur Luigj Imerit.
Në raport me vërejtjet e ZRrE-së, se pse nuk ishin marrë për bazë, Krasniqi ishte arsyetuar duke thënë se: “1.Tregtimi i energjisë ishte bërë jashtë territorit të Kosovës dhe për atë tregtim ZRRE-ja nuk kishte kompetence, 2.Duke u bazuar në ligjin për energjinë elektrike neni 32 dhe 3, përjashtimi i një operatori ndikonte ne rritjen e çmimeve ne blerje dhe çmimeve me të ulëta në shitje, që do të dëmtonin interesin e kompanisë dhe do të ngarkonte më shumë fondin e subvencionimeve nga Qeveria”, përshkruhet në aktakuzë.
Sa i përket opinionit të Zyrës Ligjor, Krasniqi ka deklaruar se arsyet kryesore ishin sepse Ligji për Energjinë Elektrike e lejonte dhe se në biseda me sekretariatin e energjisë në Vjenë, interpretimi i tyre verbal kishte qene që Ligji për Energjinë Elektrike e lejonte diçka të tillë dhe se kompanitë nuk duhet që të pengoheshin në tregtimin e lirshëm të energjisë elektrike.
Ndërsa, për rekomandimin e ZRRE-së, Krasniqi kishte deklaruar se nuk ishte obligim dhe se atë rekomandim e kishte konsideruar të kundërligjshëm pasi po të respektohej i njëjti dëmi do të ishte i pariparueshëm, duke shtuar se “HSE” nuk duhej trajtuar si kompani e pa licencuar pasi ishte kompani shtetërore në Slloveni dhe Sllovenia është anëtare e Komunitetit të Energjisë.
Ndërsa, dëshmitari Edmon Nushelli, i cili nga marsi i 2023 ishte caktuar si këshilltar teknik i kryeshefit ekzekutiv, kishte deklaruar në Prokurori se edhe vet ai ishte pro ndërprerjes se kontratës me kompaninë “HRE”, mendim të cilin e kishte dhënë edhe në grup punues, por që sipas tij, përgjigjja e grupit punues nuk ishte dërguar por një përgjigje tjetër të cilën nuk e di se kush e ka përpiluar.
Kurse, Kujtim Hoxha, i cili mban pozitën e drejtorit për Tarifa dhe Çështje Rregullative, kishte thënë se gjatë 2022 kishte ushtruar pozitën e drejtorit ekzekutiv financiar. Ai kishte thënë se pas analizimit të plotë të raportit të ZRrE-së si grup punues ishin të pajtimit që të respektohej. Por që roli i tyre ka qenë vetëm këshillues ndërsa vendimet i merr kryeshefi ekzekutiv.
Dëshmitari Eljas Jashari, i cili thuhet se ishte menaxher për Tarifa dhe Analiza, lidhur me përgjigjen dërguar ZRrE-së, ka thënë se si grup punues ishin takuar dhe përgatitur raportin, ku me pas Kujtim Hoxha e kishte dërguar tek kryeshefi.
“Dhe në të njëjtin email asistentja e kryeshefit ja kishte rikujtuar Riza Dembogajt i cili atë ditë ndodhej bashke me kryeshefin në mbledhjen e Bordit, Riza Dembogaj rreth orës 16:53 kishte kthyer email në të cilën thuhej “bashkangjitur gjeni përgjigjen e ZRrE-s, sipas sugjerimeve të KE që i bie Kryeshefit Ekzekutiv”, thuhet të ketë deklaruar Jashari në prokurori.
Ai kishte shtuar se meqenëse kompania Sllovene nuk ishte e regjistruar në Kosovë mund të ketë pasoja në dëmtimin e buxhetit të shtetit dhe në një vijë të njëtrajtshme shkonte edhe me konkurrencën.
Dëshmitari Riza Dombogaj, kishte thënë në Prokurori se në grupin punues e kishte mbrojtur pozicionin se nuk kishin bërë shkelje të Ligjit për Energjinë Elektrike duke shtuar se padrejtësisht ishin ndëshkuar nga ZRrE-ja dhe se vendimin për gjobë e kishin atakuar në gjykatë me padi dhe kërkesë për masë të sigurisë e cila kërkesë i është refuzuar.
Prokuroria ka përfshirë edhe dëshminë e Arjeta Saraqi, shefe e kabinetit, Ymer Fejzullahut, kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Skender Muçollin, analist për monitorimin e tregut në ZRrE, Hasan Kerolli, ekspert i lartë për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në KEK, Granit Beqiraj, ekspert i lartë për bilanc në KEK dhe Valdrin Krasniqin anëtar i Bordit në KEK.
Nga vlerësimet e prokurorit special, Dren Paca, është vërtetuar se Krasniqi ishte në dijeni që veprimet e tij bien ndesh me dispozitat ligjore, pasi ZRRE, Zyra Ligjore e KEK-ut e grupi punues i përbërë nga menaxhmenti i KEK e kishin vënë në dijeni disa herë të akuzuarin mirëpo i njëjti megjithatë kishte vazhduar veprimet, rrethanë kjo që provon edhe dashjen e tij për mundësim të tregtimit dhe shpërblimit me kontrata operatorit “HSE”.
Sipas prokurorit veprimet e Nagip Krasniqit me kontratën e “HSE”-së Krasniqit përveç që ia ka pamundësua ZRRE-së si organ rregullues dhe kontrollues ta kontrollojë të njëjtin nëse i përmbahej rregullave të balancimit, Krasniqi i mundësoi këtij operatori përfitimin pasuror, shmangien e rregullave fiskale të vendit, i mundësoi kushte më të favorshme në treg në raport me operatorët tjerë të cilët i nënshtroheshin rregullave dhe ligjeve të Kosovës dhe në anën tjetër KEK-ut i shkaktoi dëm material në vlerë prej 3.2 milionë euro, për shkak të gjobës së marrë nga ZRRE, pikërisht për shkak të mos ndërprerjes së tregtimit me këtë operator.
PSRK, ka propozuar gjykatës që Krasniqin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit si dhe t’i shqiptohet edhe dënim plotësues “Ndalimi i ushtrimit te profesionit, veprimtarisë ose detyrës” pasi konsideron ai edhe në të ardhmen mund të kryej vepra të ngjashme penale.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...