Dorëzimi i telefonit para se të hyni në vendvotim

08:20 | 30 Shtator 2019
Arbresh.info

Fotografimi i fletëvotimit e cila në shumicën e rasteve bëhet me qëllim të marrjes së ryshfetit në lidhje me votimin është veprim i ndaluar, dhe pason me dënime të rënda. Megjithatë, në secilën palë të zgjedhjeve që mbahen në vendin tonë nuk janë të pakta rastet ku raportohet për raste të shumta për fotografim të fletëvotimit.

Në këtë rast, del në pah se përkundër asaj që fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar, madje fotografuesi mund të dënohet me burg, kjo duket se nuk është e mjaftueshme për parandalimin e kësaj dukurie negative

arbresh.info, ka pyetur njohësit e kësaj çështje se a do ishte një veprim i duhur, marrja e telefonit personal nga votuesi, përderisa ai gjendet në kabinën e votimit , në mënyrë që të pa mundësohet fotografimi i fletëvotimit.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka thënë për arbresh.info se marrja e telefonit të votuesit përgjatë kohës kur ai është duke votuar, do ishte veprim i mirë ngase do të parandalonte keqpërdorimet, por, nuk ka staf të mjaftueshëm për këtë.

“Jo vetëm marrja e telefonit të votuesit, por çdo hap që merret për parandalimin e keqpërdorimeve, do ishte e mirë, por momentalisht një gjë e tillë nuk është e mundur ngase nuk ka staf të mjaftueshëm për këtë. Megjithatë, nëse KQZ-ja do e merr një vendim të tillë për ne do ishte e mirëseardhur”, ka thënë Desku.

I pyetur në lidhje me këtë çështje Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se KQZ-ja është duke bërë gjithçka për parandalimin e shkeljeve të ligjeve, por marrjen e një vendimi të tillë, duhet të bëjë prokuroria.KQZ është duke bërë gjithçka për parandalimin e shkeljeve të ligjeve dhe rregullave zgjedhore si dhe hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e personave që kryejnë vepra penale kundër të drejtave të votimit.

Ndërsa sa i përket , pyetjes tuaj, një vendim të tillë mund ta merr prokuroria.

arbresh.info, ka kontaktuar disa herë Prokurorinë e Shtetit në lidhje me këtë çështje por nuk ka arritur të marr përgjigje.

Edhe politologu Albinot Maloku, në një përgjigje të dhënë për arbresh.info, ka thënë se duhej të kishte mekanizma që kontrollojnë, parandalojnë por edhe ndëshkojnë fotografimin e votës

“Privatësia e votës është e garantuar me të gjitha dokumentet ligjore në fuqi edhe në Republikën e Kosovës. Fatkeqësisht, fotografimi i votës është i ndaluat dhe paralelisht edhe i dënueshëm. Me siguri se edhe në vendin tonë gjatë procesit të votimit do të duhej të kishte mekanizma që kontrollojnë, parandalojnë por edhe ndëshkojnë fotografimin e votës! Konsiderojë që KQZ do të duhej të kishte ide konkrete për të luftuar këtë dukuri”, tha Maloku.

Në disa vende Evropiane ekziston rregulli i dorëzimit të telefonit para se votuesi të hyjë në vendvotim./A.Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme