Dorëhiqet një nga drejtorët në komunën e Shtimes, ja arsyeja

13:42 | 15 Gusht 2017
Arbresh.info

Ka dhënë dorëheqje Mehdi Salihu, drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban, Ndërtim, Kadastër dhe Gjeodezi. Një nga arsyet është rikandidimi për kryetar i të parit të Shtimes, Naim Ismajli.

Mehdi Salihu ka vazhduar me arsyet e tjera të cilat sipas tij janë të shumta.

“Sot më 15. 08. 2017 jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Drejtorisë për Planifikim Urban, Ndërtim, Kadastër dhe Gjeodezi në komunën e Shtimes, si dhe nga pozita e Këshillit të PDK-Dega në Shtime.

Për këtë dorëheqje kam vendosur për shkak të rikandidimit për kryetar të komunës së Shtimes të, Naim Ismajlit (të cilin shumë qytetarë e quajnë, “Sulltan Naim Ismajli”), nga kryesia e degës së PDK-së, të cilën vetë e kishte zgjedhur me njerëz të besuar të tij. Naim Ismajli largon nga institucionet komunale një nga një intelektual, ekspertë të fushave ndryshme dhe afër vetes ofron “njerëz që dëgjojnë, i nënshtrohen urdhrave të tij dhe jo profesionistë”, kështu ka vepruar sidomos këto 4 vitet e fundit. Këta njerëz i ka instaluar në Administratën komunale, Arsim, Shëndetësi dhe institucione tjera.

Në këtë mënyrë është uzurpura i tërë aparati veprues në institucione komunale, ashtu sikur edhe brenda Degës së PDK-së, është ngulfatur çdo kush që mendon ndryshe. Pastaj eliminon forcat demokratike progresive në parti dhe afër vetes ofron njerëz të regresit që më shumë i përngjajnë “njerëzve kukulla”, se sa njerëzve që i duhen partisë dhe komunës së Shtimes, për t’i shtyrë proceset përpara.
Shpesh kam menduar këto vitet e fundit të iki nga kjo pozitë, por kur e mendoja që këtë e dëshironte “Sulltan Naimi”, nuk ia lejoja vetes.

Kam rezistuar dhe i kam thënë vetes “jo” se nuk do ta le qytetarin në duar të njerëzve të mjerë.
Arsyet për largimin tim janë shumë, shumë… duke filluar: Nga keqpërdorimet e mëdha të buxhetit të taksapaguesve shtimjanë dhe qytetarëve të Kosovës, sidomos në 4 vitet e fundit në shuma të mëdha financiare; Krijimi i pasurive të mëdha si në komunë, ashtu edhe jashtë komunës për të cilin më e dinë qytetarët e Shtimes; Pastaj uzurpimi i institucioneve komunale në të gjitha fushat me njerëz që përmenda më pare. Dhënien e tenderëve pa kriter 2 apo 3 operatorëve të njohur me vlera të mëdha financiare e që vijnë nga komuna tjera të Kosovës dhe lidhjet e fuqishme që ka me këtë pronar; Bizneset vendore shtimjane assesi nuk kanë ardhur në shprehje (këtë mund të vërtetojnë edhe vetë ato); Pazaret shpesh për dhënie tenderi janë bërë në zyrën tij “Me parimin, hiç dorë prej këtij tenderi ta japë tjetrin tender”; Degradimi tej mase i qytetarëve me gjëra që nuk mund të imagjinohen që sot mund të ndodhin në shtetin e lirë të Kosovës. Përmenda vetëm disa arsye e që në të vërtetë janë shumë por nuk është hapësira t’ i them këtu. Po shpresoj që drejtësia do merret me këtë.

Unë i kam shërbyer qytetarit të Shtimes që 11 vite në këtë drejtori. Drejtori e cila është nga me te ndjeshmet që ka komuna, asnjëherë nuk jam lodhur me punën që kam bërë dhe mburrem që i kam shërbyer qytetarit të kësaj komune. Në bashkëpunim me stafin tim të mrekullueshëm në drejtori, kemi arritur rezultate të lakmueshme, jo edhe aq të mëdha sa do te kisha dëshirë të arrinim. Në mandatin e fundit 4-vjeçar po thuaja komplet i kemi pasur duart e lidhura në vendimmarrje. Dhe vetëm “Sulltan Naimi” ka vendosur me ligj e pa ligj.

Unë nuk do largohem nga skena politike e Shtimes, sepse konsideroj se qytetari meriton të trajtohet sa me më shumë dinjitet. Unë do futem në garë në Zgjedhje Lokale, me besimin e plotë që do ju shërbej të gjithë qytetareve pa dallim. Do të jem me qytetarin dhe sa më afër qytetarit dhe 24 orë në shërbim të tij. Ky është vizioni im. Nuk kam ëndërruar kurrë një pozitë të tillë, gjithnjë i kam thënë vetes do jem në profesion dhe do të shërbej në këtë mënyrë. Do të jem për një komunë që do të sundojë rendi ligjor juridik, zyrtar profesionistë në vende meritore të caktuara, zyrtar që qytetarit ti thonë dhe çfarë shërbimi kërkon ai. Po ashtu do të angazhohem në eliminimin e barrierave burokratike. Qëllimi im kryesor është që Shtimja të bëhet një komunë moderne evropiane, model i qeverisjes lokale për komunat e tjera të Kosovës” ka thënë Mehdi Salihu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme