Deputetja Besa Baftiu është aktivistja e radhës që ka paraqitur dorëheqjen nga funksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Baftiu ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Qendrës së kësaj partie në Gjilan si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë.
Baftiu ka thënë se ka dashur që këtë largim ta paraqesë menjëherë pas rezultatit të dobët të Vetëvendosjes në Gjilan në zgjedhjet e fundit lokale, mirëpo ka heshtur pasi në sheh dolën probleme të nivelit qendror.
Në letrën e dorëheqjes të publikuar në Facebook, Baftiu ka thënë që kryetari i VV-së, Albin Kurti nuk ka shfaqur vullnet që t’i parandalojë linçimet ndaj atyre që shfaqën pakënaqësi rreth partisë.
Letra e plotë e dorëheqjes së Baftiut:
“Të dashur anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra në Gjilan, me keqardhje më duhet t’ju njoftojë se që nga sot kam marrë vendim të dorëhiqem nga pozicioni i Kryetares së Qendrës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan dhe nga Këshilli i Përgjithshëm.
Kam dashur ta japë dorëheqjen time nga pozita e kryetares së Qendrës qysh pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, me ç’rast në Gjilan dolëm me një rezultat aspak të kënaqshëm, por heshta për shkak dolën në publik mosmarrëveshjet e fundit në nivelin qendror, duke mos dashur që dorëheqja ime të ndikojë edhe më shumë në situatën e rëndë të krijuar në organizatë.
Jam bashkëngjitur në VETËVENDOSJE! më vitin 2010, në kohën kur ka pasur shumë pak gra dhe vajza të angazhuara brenda organizatës. Qëllimi im ishte angazhimi për të nxitur sa më shumë gra e vajza për pjesëmarrje në jetën publike, në vendimarrjen politike, rrjedhimisht, për ta fuqizuar rolin e tyre në institucione dhe shoqëri. Këtë e kam bërë duke besuar se VETËVENDOSJE! është subjekti i vetëm që mund të sjellë ndryshimin e shumëpritur të qytetarëve, prandaj sikur shumë aktivistë gjithandej Kosovës, jam angazhuar me vullnetin më të madh dhe gjithë kapacitetin tim për ta jetësuar këtë ndryshim aq të domosdoshëm për vendin tonë.
Kur u zgjodha kryetare e Qendrës në Gjilan më vitin 2016, jam njoftuar edhe më shumë me rëndësinë e angazhimit politik, por edhe me vështirësitë e panumërta për t’i arritur synimet tona. Përveç rrethanave të tjera që ishin pengesë drejt realizimit të këtyre synimeve, gjatë angazhimit tim kam kuptuar se edhe brenda organizatës sonë ishin afruar individë me një mendësi që promovon të kundërtën e asaj që promovon publikisht VETËVENDOSJE!. Një gjë e tillë, në raste të ndryshme është bërë pengesë e diskutimeve të sinqerta e parimore dhe për më keq ka ndikuar negativisht në vendimmarrjen dhe demokracinë e brenshme.
Manifestimi më i vrazhdë i kësaj është hasur pas humbjes në zgjedhjet e fundit lokale në Gjilan, ku në vend që të reflektonim bashkërisht, të njëjtit njerëz filluan të promovonin edhe më shumë gjuhën e përçarjes, duke sajuar akuza e shpifje të pabaza në drejtim të individëve të caktuar për sabotim të zgjedhjeve. Pa dyshim se një qasje e tillë është e papranueshme dhe njëkohësisht ishte zhgënjyese për gjithë ne që me gjithë mundin tonë u angazhuam që VETËVENDOSJE! të dalë sa më e fuqishme në zgjedhje, ku punuam pandalur që organizata të forcohet sa më shumë në terren. Por, kjo duket se nuk kishte rëndësi për këta individë, që përfaqësojnë më së paku idenë e të përbashkëtës dhe të unitetit, duke pasur probleme të theksuara me demokracinë dhe me rregullat e saj.
Shfaqja e problemit në nivel qendror përkeqësoi edhe më shumë gjendjen në Qendrën e Gjilanit, duke shkaktuar zhgënjim të madh dhe duke dëmtuar tepër shumë besimin e aktivistëve. Gjatë kësaj periudhe, në vend që të kontribuohej për zgjidhjen e problemit dhe për unifikim, individët e njëjtë me mendësi përçarëse kontribuan për të kundërtën. Në vend që të hapej debati për të ardhmen e organizatës, përpjekja për ta mbytur kritikën dhe reflektimin e domosdoshëm, bashkë me gjuhën akuzuese e me tendenca dashakeqe u rritën. Kësisoj, gjatë kësaj kohe kemi parë fushatë të egër linçuese ndaj gjithë atyre që shprehnin pakënaqësi me gjendjen e krijuar, duke dëshmuar se brenda organizatës po i hapej rrugë një mendësie të rrezikshme totalitare, e cila nuk duron kritikën dhe mendimin ndryshe. Personalisht, jam munduar që të japë kontribut për aq sa kam pasur hapësirë për të mos lejuar një gjë të tillë, duke dashur t ë ruhen vlerat që i kemi promovuar në vazhdimësi, por tashmë një gjë e tillë më duket e pamundur. Sidomos pasi që përgjatë kësaj kohe, nuk kam parë vullnet as tek Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, që ta parandalojë këtë lloj mendësie që i kanosej organizatës dhe e cila duket se po zë vend brenda saj.
Për këtë arsye, duke iu falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, nga sot jap dorëheqjen time nga gjitha funksionet në organizatë” ka shkruar Baftiu.
Mospërfshirja në listë për zgjedhje, Aliu: Vendim është i im...
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
Samiti i BE-së: Miliarda ndihmë shtesë për Ukrainën
Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë
Pyetja që i ‘djegu’ Xhenetës, si reagoi ajo në darkën e të n...
Mujka: Dëmi i shkaktuar nga sulmi në kanalin e “Ibër-Lepenci...