Shteti më i ri në Evropë, Kosova ka kohë që nuk ka marrë asnjë njohje.
Ndërsa, për rreth katër vjet të kësaj qeverie, vendi nuk arriti të marrë asnjë njohje, përkundrazi ka pasur tendenca dhe lobim nga Serbia për tërheqje të njohës nga disa shtete afrikane.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk arriti t’i sjell vendit as edhe një njohje për rreth katër vjet në krye të kësaj ministrie, raporton Arbresh.info.
Lidhur me mosnjohjet dhe angazhimet e kësaj ministrie rreth kësaj çështje, Arbresh.info ka dërguar pyetje në MPJD, mirëpo nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ministria e udhëhequr nga Gërvalla.
Megjithatë, ky dështim i ministrisë së udhëhequr nga Donika Gërvalla, sipas opozitës dhe njohësve të çështjeve politike në vend po shihet si pasojë e marrjes së ministres më shumë me shkarkim të ambasadorëve, sesa me lobim.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Hisen Berisha për Arbresh.info thotë se Gërvalla e ka prezantuar Kosovën në mënyrën më joserioze.
Sipas Berishës, përplasjet e vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë shtuar presionin për dialog dhe zbatim të marrëveshjeve, kanë përkeqësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare
“Për katër vjet në krye të Ministrisë së Jashtme, Donika Gërvalla ka dështuar të sigurojë asnjë njohje të re për Kosovën, duke reflektuar ngecjen e thellë diplomatike të vendit. Përplasjet e vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë shtuar presionin për dialog dhe zbatim të marrëveshjeve, kanë përkeqësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, Gërvalla ka prezantuar Kosovën në mënyrë joserioze, duke e etiketuar si një “vrimë të zezë të krimit të organizuar dhe korrupsionit,” gjë që ka dëmtuar imazhin e vendit”, thekson Berisha.
Deputeti i PDK-së thekson se MPJD-ja, do të duhej të kishte ndërtuar një strategji të fuqishme lobimi, të forconte marrëdhëniet me aleatët dhe të tregonte angazhim serioz në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare.
“Degradimi i dialogut për marrëveshjen finale me njohje reciproke, në tema për normalizim raportesh të ndërsjella, pra për zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve të përditshme në mes të dy vendeve, siç u fillua pas zgjidhjes politike për Kosovën me pavarësinë, ka bërë që shtetet e tjera ta shohin çështjen e Kosovës si çështje të statusit dhe kjo i ka stopuar njohjet e reja”, deputeti Berisha.
Arifi: Gërvalla nuk ka pasur fokus të qartë për të lobuar, është marr me shkarkimin dhe ngarkimin e ambasadorëve
Edhe analisti politik, Dritëro Arifi mendon se lobimi për njohje është çështje shumë dimensionale, që Qeveria e Kosovës, sipas tij, për fat të keq nuk e ka kuptuar.
Arifi për Arbresh.info liston disa prej arsyeve se pse mendon ai që Gërvalla nuk i solli asnjë njohje Kosovës.
Siç thotë ai, Gërvalla nuk ka pasur fokus të qartë për të lobuar, e për të fituar njohje të reja.
“Në fillim të mandatit, Gërvalla nuk ka pasur fokus të qartë për të lobuar, për të fituar njohje të reja, sepse pothuajse dy vite kanë shkuar që MPJD është marr me shkarkimin dhe ngarkimin e ambasadorëve, duke e ditur që ka pas vende që me muaj të tërë kanë mbetur pa ambasadorë, pra një neglizhencë e papjekurisë totale shtetërore politike dhe intelektuale”, thotë Arifi.
Si dimension të dytë, analisti përmend faktin se nuk ka pasur shumë kompani të kontraktuara nga Ministria e Jashtme për të lobuar në institucionet e ndryshme.
Megjithatë, edhe nëse do t’i kishte bërë të gjitha këto, sipas tij, lobimi i Kosovës në mënyrë bilaterale është i pamundur që të arrihet sukses i mjaftueshëm.
Ndër tjerash, ai thotë se në mosnjohje ka ndikuar edhe mënyra sesi janë trajtuar disa çështje.
“Zhgënjimi i botës perëndimore, mënyra sesi i kemi trajtu disa çështje, sepcifikisht çështjen e veprimeve në veri dhe dialogut në një mënyrë, duke i befasu dhe mashtru partnerët tanë strategjik, kjo e dëmton tërësisht, pavarësisht se në të tri pikat mund t’i plotësojmë. Kosova nuk mund të anëtarësohet as përtej Shqipërisë pa ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë”, thekson Arifi.
Gjithë këto dështime, Arifi i sheh si shumë zhgënjyese nga kjo Qeveri për gati një mandat të tërë sa ka deri tash.
Ndryshe, njohja e fundit shtetit të Kosovës i ka ardhur në muajin shkurt të vitit 2021 nga shteti i Izraelit.
Në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën./ Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Krasniqi: Jemi angazhuar për një klimë më të mirë për të bër...
Shqipëria do ta mbyll për një vit, reagon TikTok – kërkon sq...
Nga transferimit tek Cluji, humbja e babait deri tek mosftes...
Tavo: Do të japim certifikatat e AMTP-ve dhe legalizimin e s...
Hetimet për sulmin në Magdeburg, të dyshuarit i është caktua...
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...