Dogana konfiskon mbi 17 mijë pako cigare elektronike në autobusin e linjës Gjermani-Kosovë

16:41 | 9 Shkurt 2024
E.K

Dogana e Kosovës ka njoftuar se sot në pikë kalimin kufitar të Merdares u zbulua një sasi e konsiderueshme e cigareve elektronike të padeklaruara gjatë tentimit për kontrabandim.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se në Merdare janë gjetur 17,290 pako cigaret elektronike të shijeve të ndryshme.

Sipas njoftimit, në pyetjen e oficerëve doganorë se a ka diçka për të deklaruar, shoferi është përgjigjur se ka sasi minimale.

“Oficerët doganorë kanë kërkuar hapjen e të gjitha bagazheve, derisa drejtuesi i mjetit ka deklaruar se bagazhet në pjesën e majtë të autobusit nuk hapen. Oficerët Doganorë, së bashku me Oficerët e Policisë, kanë hapur bagazhet, ku janë gjetur sasi prej 17,290 pako cigaret elektronike të shijeve të ndryshme, së bashku me 10,000 thithje (puffs) në sasi prej 20 ml secila, fillimisht në pjesën e majtë të bagazhit”, thuhet në njoftim.

Pas kësaj, autobusi është selektuar për kontroll të vijës së dytë, ku thuhet se është gjetur edhe një sasi tjetër e cigareve elektronike.

“Pas kësaj, autobusi është selektuar për kontroll të vijës së dytë, respektivisht për kontroll detal. Kontrolli ka rezultuar me gjetjen edhe të një sasie të konsiderueshme të cigareve elektronike në fund të autobusit dhe nën karrige të mbuluara me valixhe dhe gjësende të udhëtarëve. Drejtuesi i autobusit ka pranuar verbalisht se malli i takon atij. Tërë sasia është konfiskuar derisa veprimet në lidhje me këtë rast do të vazhdojnë në përputhje me procedurat dhe rregulloret relevante të doganës”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme