Do të rikandidohem në zgjedhje për ta shpëtuar kryeqytetin (VIDEO)

16:12 | 4 Mars 2017
M. A.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, thotë se në zgjedhjet komunale do të rikandidohet për të parin e Prishtinës për të mos rrezikuar projektin për zhvillimin e kryeqytetit.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, i pari i Prishtinës, Ahmeti ka thënë se askush nuk duhet t’i frikësohet demokracisë dhe se në komunë kanë vendosur një sistem të ri të llogaridhënies.

“Gatishmëria e subjektit është natyrisht që unë të kandidohem edhe njëherë, por kjo mbetet që të vendoset gjatë verës edhe njëherë kur i afrohemi zgjedhjeve. U kam thënë edhe më herët se nuk e rrezikojmë projektin e Prishtinës dhe mendohet se në çfarëdo mënyre rrezikohet, atëherë patjetër do të jem kandidati…”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se presin verdiktin e qytetarëve në zgjedhje, “nuk i dihet asnjëherë se kush do të jetë”.

Në zgjedhjet e fundit në Prishtinë, ai ka thënë se nuk kanë pasur asnjë marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër politik, por ka theksuar se qytetarët janë ata që kanë vendosur për ta votuar Shpend Ahmetin dhe për të bërë ndryshime.Ai ka folur edhe për projektin e autobusëve për kryeqytetin, duke akuzuar Qeverinë se qëllimshëm vonoi projektin për një vit, duke mos nënshkruar marrëveshjen…

Me qarkullimin e autobusëve të rinj ai ka thënë se deri tani është vërejtur rritje e numrit të udhëtarëve dhe rritje e të hyrave.

Ahmeti premton se do të shtojnë linja të reja të autobusëve nëpër ato lagje ku nuk i kanë mbuluar me trafik urban.Hapësirat për parkingje në Prishtinë vazhdojnë të jenë ende problem, por kryetari Ahmeti tregon se bllokimi kryesor është bërë nga Kuvendi Komunal.

“I kemi identifikuar 4 700 vende të parkingut në qendrën 1, dhe thjesht ka mbetur themelimi i ndërmarrjes, por që këto probleme në kuvend kanë shkaktuar që mos të dihet kush çka po bënë dhe tashmë kemi filluar t’i marrim hapësirat e parkingut si ajo prapa Pallatit të Rinisë dhe do të bëjmë njëherë me “Horti Kulturën” që pastaj t’i transferohet krejt “Prishtina Parking” kur të jetë gati”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për punëtorët që janë me kontratë mbi vepër, për mungesën e Ligjit për Prishtinë, për të cilin akuzon Qeverinë për mosmiratim të tij.

“Është çudi qysh një kryetar komune që është ankuar nja 6 vjet që nuk ka ligj për Prishtinën dhe në momentin që kur u bë kryeministër qe 3 vjet nuk e procedoi ligjin për të cilin 6 vjet u ankua vet”, ka thënë Ahmeti.

“Ka pasur mosmarrëveshje mes neve dhe qeverisë së Kosovës, megjithatë ekziston një draft. Çka kanë bë tash, këta e kanë futur në agjendën legjislative më 30 qershor të 2017-ës. Pse? Që deri sa të kalon shtatori, tetori që mos me pas këtë mandat fare me atë ligj.

Kur e kanë menduar ligjin, më kanë menduar mua, e paramendoni tash kur një ligj mendohet për persona specifik, e nuk mendohet për kryeqytetin…”, ka thënë Ahmeti.

https://vimeo.com/206694789

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme