Demokracia në Veprim (DnV) e konsideron të pakuptimtë që në rrethanat aktuale të insistohet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Ky koalicion organizatash, që monitoron rëndom gjithë proceset zgjedhore që organizohen në Kosovë, thekson se që nga shpallja e datës së zgjedhjeve në katër komunat veriore nga Presidentja e vendit, procesi i organizimit të këtyre zgjedhjeve është përcjellë me probleme të shumta.
“Procesi është përcjellë nga bojkotim i garës zgjedhore nga kandidatët e komunitetit serb, që në fakt përbën shumicën absolute të popullsisë në këto komuna. Dorëheqjet e zyrtarëve përkatës zgjedhor të këtyre komunave e kanë vështirësuar organizimin adekuat të këtyre zgjedhjeve. Ndërsa, rastet e djeshme të incidenteve dhe dhunës në atë pjesë kanë pamundësuar vazhdimin e përgatitjeve për administrimin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e DnV.
DnV rikujton që ndër parimet kryesore të zgjedhjeve është ‘votimi i lirë’.
Zhvillimi i të gjitha procedurave nën forca të shumta të sigurisë, si dhe nën kërcënim direkt të jetës së zyrtarëve zgjedhor, por edhe qytetarëve dhe kandidatëve, bie ndesh me këtë parim.
“Kësisoj, është e qartë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pothuajse të pamundur që të realizojë operacionet përkatëse zgjedhore për mbajtjen e rregullt dhe normale të këtyre zgjedhjeve. Madje, KQZ-ja e ka pasur të pamundur që një gjë të tillë t’a bëjë edhe me asistencën e Policisë. Bazuar në këtë situatë, është vështirë e besueshme që do të mund të garantohet siguri në këto komuna për qindra persona të angazhuar si staf zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, si dhe mijëra qytetarë me të drejtë vote. Për më tepër, probleme mund të ketë edhe me hapjen e vet qendrave të votimit”, thuhet tutje në njoftim.
“Në rrethanat aktuale të mungesës së sigurisë për stafin zgjedhor, mungesën e kandidatëve të komunitetit serb në garë, si dhe gjasave të pakta për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje, DnV kërkon nga Presidentja e vendit që të iniciojë konsultimet me akterët relevantë për të shtyrë zgjedhjet në katër komunat veriore”, përfundon komunikata e DnV-së./arbresh.info/
Antidroga në Prishtinë gjen një sasi të kokainës dhe një rev...
Starlink në Kosovë, Kurti: Një hap i madh për infrastrukturë...
Kurti dhe Murati mbajnë konferencë për media
Gjuajti disa herë në ajër dhe e hodhi armën nga vetura, arre...
Drita pret Feronikelin ’74, në Suharekë luhet derbi i qyteti...
Vdekja e 1-vjeçarit në QKUK, policia po heton rastin