Kush po e djeg pronën personale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës?
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të siguronte një përgjigje konkrete në këtë pyetje as nga Policia e Kosovës, as nga Prokuroria e Mitrovicës, e cila është përgjegjëse për katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Motivet, zyrtarisht, nuk dihen.
Ajo që dihet është se, së voni, janë duke u djegur kryesisht prona të zyrtarëve lokalë serbë, të cilët kanë pranuar punë në komunat që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës.
Këto komuna, aktualisht, drejtohen nga kryetarë shqiptarë.
Rasti i fundit i tillë ndodhi më 22 mars, kur u dogj shtëpia e Nenad Radosavleviqit, drejtor i Departamentit për sport, rini dhe kulturë në Komunën e Leposaviqit.
Policia e cilësoi këtë rast si “incident për shkak të instalimit të keq”, ndërsa Radosavleviq, në një prononcim e akuzoi Listën Serbe.
Kjo parti – më e madhja e serbëve të Kosovës – i hodhi poshtë të gjitha akuzat, ndërsa nga Radosavleviqi kërkoi që “të mos tregojë me gisht” kah Lista Serbe, “me urdhër të regjimit në Prishtinë” dhe pa pasur asnjë provë.
Lista Serbe është e vetmja parti politike në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit për aktivitetet e saj.
Me iniciativën e saj, pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, në nëntor të vitit 2022, me qëllim që të parandalonin riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në targa të Kosovës.
Pastaj, në fund të majit të vitit 2023, kryetarët shqiptarë morën udhëheqjen e komunave në veri, sepse serbët – sërish pas thirrjes së Listës Serbe – i bojkotuan zgjedhjet.
Megjithatë, disa individë që nuk e mbështesin politikën e kësaj partie, marrin pjesë në punën e pushtetit të ri lokal.
Çfarë thonë institucionet përgjegjëse?
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, thotë për Radion Evropa e Lirë se, që nga fillimi i këtij viti, në komunat në veri janë regjistruar shtatë raste të djegies së pronës personale të pjesëtarëve të komunitetit serb.
Hetimet e rasteve janë ende të hapura, por nuk ka rezultate konkrete.
“Nuk e dimë ende se kush dhe pse i ka djegur. Nuk është bërë asnjë arrestim”, thotë Elshani.
Prokuroria e rajonit verior nuk iu përgjigj pyetjeve për shkallën e djegies së pronave personale dhe nëse ka të dyshuar për këto krime.
Kush janë pronarët e tjerë që pësuan?
Në fillim të muajit mars, persona të panjohur i vunë zjarrin lokalit në pronësi të Natasha Tomaniqit, nënkryetare e Komunës së Zveçanit, e cila punon sipas sistemit të Kosovës.
Ajo, po ashtu, shprehu dyshimin se pas këtij akti qëndron Lista Serbe – gjë të cilën kjo parti e mohoi.
Djegia e kësaj prone u dënua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Beogradi zyrtar, në këtë mënyrë, “ushtron presion ndaj serbëve që duan të integrohen”.
Më herët, në fund të janarit, u dogj vetura e kryetarit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Buriq.
Atëkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, e udhëhequr nga ministri Xhelal Sveçla, tha se “sulmi ndaj Buriqit dëshmon se Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj serbëve që u janë besnikë institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Në anën tjetër, Lista Serbe reagoi për veturën e djegur në pronësi të Radmilla Vukiqeviqit, kryetare e administratës komunale nën sistemin serb dhe bashkëpunëtore e ngushtë e kryetarit të Autoritetit të përkohshëm komunal të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq.
Më vonë, Lista Serbe, përmes deklaratave të saj për media, përmendi edhe pronarin e portalit Kosovo online, Dushan Millanoviq, të cilit, po ashtu, iu dogj vetura më 17 mars.
Ajo tha se dyshon se pas këtyre incidenteve qëndron zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, dhe këto akuza i përsëriti edhe më 24 mars, pasi Radosavleviq tha se përkrahësit e Listës Serbe i kanë djegur një shtëpi të tipit pushimore.
Akuza të ndërsjella
REL-i kërkoi nga Lista Serbe që t’i komentojë akuzat ndaj saj dhe të sqarojë se si Radoica Radomiroviq qëndron pas djegies së veturave në pronësi të Radmilla Vukiqeviqit dhe Dushan Millanoviqit, por kjo parti nuk u përgjigj.
Në njoftimet e saj, Lista Serbe përmend një audio-regjistrim, në të cilin Radomiroviq dëgjohet “duke shpjeguar se si vihen zjarret dhe si digjen makinat”.
Ky regjistrim u shpërnda në kanale të Telegramit në gjuhën serbe.
Radomiroviq e konfirmoi vërtetësinë e këtij regjistrimi, por tha se është nxjerrë jashtë kontekstit, “për t’u shfaqur në një kuptim negativ”.
“Ai regjistrim u bë më 18 nëntor [vitin e kaluar] dhe e di kush e ka incizuar. Policia ka qenë në dijeni për ato incizime, por unë patjetër kam dhënë deklaratë në polici dhe i kam emëruar dëshmitarët që kanë qenë aty”, tha Radomiroviq, duke sqaruar se në tavolinë po tregoheshin rrëfime për djegien e veturave të njerëzve në veri.
Radomiroviq, po ashtu, tha se “dihet se kush ua djeg pronat serbëve në veri” dhe se të gjitha informacionet i ka dhënë tashmë në polici.
Ai dyshon se përkrahësit e Listës Serbe, me urdhër të Millan Radoiçiqit, i kanë djegur veturat e Radmilla Vukiqeviqit dhe Dushan Millanoviqit, me qëllim të rritjes së tensioneve.
Radoiçiq është ish-zyrtar i Listës Serbe, i cili ka pranuar se ka organizuar sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, ku ka mbetur i vrarë një polic i Kosovës.
Ai kërkohet nga gjykatat e Kosovës edhe në lidhje me vrasjen dhe frikësimin e një dëshmitari, ndërsa SHBA-ja e ka futur në listë të zezë për përfshirje në krim dhe korrupsion ndërkombëtar.
Simonoviq: Grindjet politike nuk do t’i rrisin tensionet në terren
Sërgjan Simonoviq, nga organizata joqeveritare “Qendra Humane” në Mitrovicë të Veriut, e cila merret me çështje të sigurisë, thotë se “djegiet e fundit politike” të pronave private janë rezultat i “grindjeve politike”.
Sipas tij, Lista Serbe dhe individët që i janë bashkuar punës së autoriteteve lokale, nuk gëzojnë shumë mbështetje nga populli dhe, në këtë kontekst, këto incidente, shton ai, nuk do t’i rrisin tensionet në terren.
Simonoviq nuk beson se të gjitha incidentet në veri janë të ndërlidhura, por nuk e përjashton mundësinë që disa prej tyre të kenë prapavijë politike.
“Është një lloj konkurrence, lojëra politike, të cilat ne nuk mund t’i shohim [t’i vërtetojmë], por e dimë se janë të pranishme”, thotë ai.
Ai shton se djegia e veturave të kundërshtarëve politikë ishte “markë e veriut” dhe shfaq shpresën që kjo dukuri të mos shndërrohet në djegie të shtëpive.
Trendi i djegies së makinave ishte veçanërisht aktual në fund të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, kur u bë procesi i riregjistrimit të veturave me targa të Kosovës. Për këtë arsye, persona të panjohur dogjën disa vetura me targa RKS (Republika e Kosovës).
Në të kaluarën u dogjën edhe makina të politikanëve të opozitës dhe njëri prej tyre ishte Olliver Ivanoviq, i cili u vra në janar të vitit 2018.
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...