Google ADS

Djegia e lokaleve të nënkryetares së Zveçanit, Kurti: Akt terrorist, shpresoj ta dënojnë QUINT-i dhe BE-ja

15:08 | 8 Mars 2024
E.K

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar për djegien e dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka shkruar se ky akt është kryer nga elemente kriminale në Zveçan, të cilët pikërisht me 8 mars kanë zgjedhur dhunën.

Sipas tij, Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi, e jo me dhunë e terror.

“Pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhin”, ka shkruar Kurti.

Gjithashtu, kreu i ekzekutivit shpreson që edhe QUINT dhe Zyra e BE-së ta dënojnë një akt të tillë.

“Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi. Jo me dhunë e terror. Përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës. Kurse ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre.Shpresojmë që edhe ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyres së BE-së, z. Tomas Szunyog, do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar”, ka shkruar Kurti./Arbresh.info

Të ngjashme