Djali i Fadil Fazliut: Pritet që shumë shpejtë babai të niset drejt Gjykatës së Hagës

11:09 | 6 Dhjetor 2024
E.K

Mëngjesin e djeshëm, është arrestuar ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu. Lajmin e ka konfirmuar djali i tij, Fahriu.

Pas arrestimit, Fazliu është dërguar në Bazën e EULEX-it, e cila ndodhet në magjistralen Prishtinë-Fushkosovë.

Sot, Fahriu Fazliu ka konfirmuar për Arbresh.info se ende nuk i është lejuar të takojë babain e tij. Ai gjithashtu shtoi se pritet që Fadil Fazliu të niset shumë shpejtë drejt Gjykatës së Hagës.

Ndryshe, Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të enjten është ndërmarrë aksion i gjerë në Kosovë, ku janë kryer arrestime e bastisje në disa shtëpi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Gjatë aksionit janë arrestuar: ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i AKI-së Bashkim Smakaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Faziu.

Kjo prokurori me seli në Hagë ka njoftuar se aksioni ka të bëjë me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë./Arbresh.info

Të ngjashme