Google ADS

“Dita pa makina” sot në Tiranë

10:52 | 17 Mars 2019
Arbresh.info

Aktivitetet që Bashkia e Tiranës kishte organizuar me rastin e Ditës së Verës, por që për shkak të motit të keq u vendosën të shtyheshin për këtë të dielë, kanë bërë që 17 marsi të shpallet si “ditë pa makina” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” të kthehet në pedonale.

Në total janë programuar më shumë se 50 aktivitete për ta bërë një festë të madhe për të gjithë, siç shprehen nga Bashkia e Tiranës, ndërsa për mbarëvajtjen e këtyre organizimeve janë marrë një plan masash në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, duke devijuar edhe qarkullimin e mjeteve dhe linjave të urbanëve

Më konkretisht, ndalimi i qarkullimit do të bëhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ora 8 deri në orën 17; në sheshin “Nënë Tereza” nga ora 19 e ditës së shtunë deri në mesnatën mes të dielës dhe të hënës; si dhe në rrugët “Pjetër Bogdani e “Brigada e VIII”, si dhe segmenti midis “Vaso Pashes” dhe “Ibrahim Rugovës” nga ora 8 e së dielës deri në 4 të mëngjesit të së hënës.

Ndërsa automjetet e transportit urban, respektivisht linja e Unazës do të devijohet në urën e rrugës “Sami Frashëri” me urën e rrugës së “Elbasanit”; linja e “Tiranës së Re” do të devijohet në rrugën “Sami Frashëri”; ndërsa linja Kinostudio-Kombinat do të devijohet te sheshi i “Medresesë” dhe përballë Kishës Ortodokse në rrugën e “Kavajës”.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme, automjetet e emergjencës dhe të Policisë së Shtetit do të qarkullojnë në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Vaso Pasha” dhe “Papa Gjon Pali II”, në unazën e vogël të qytetit./TCh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme