Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Osmani: E drejtë themelore e njeriut

12:30 | 3 Maj 2024
K.B

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë se është e drejtë themelore e njeriut.

Ajo ka thënë se mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi”, ka thënë presidentja.

Osmani ka thënë se në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente.

“Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme