Dita Botërore e Autizmit shënohet në Prishtinë me një porosi të veçantë

13:26 | 2 Prill 2018
Arbresh.info

Sot është Dita Botërore për Autizëm, teksa shumë specialistë të shëndetësisë gjithnjë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Dita Botërore e Autizmit, 2 prilli, është caktuar nga OKB-ja për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij çrregullimi bio-neurologjik të trurit.

Ndërkohë kjo ditë është duke u shënuar edhe në Prishtinë, me një varg aktivitetesh. Në sheshet e kryeqytetit ka parakalim të shumtë qytetarëve përderisa aktivitetet vazhdojnë deri në mbrëmje.

“Unë kam botën time , është e hapur edhe për ju”,ka qenë porosia e sotme në kryeqytet, shkruan Indeksonline.

Ndryshe autizimi është identifikuar në vitin 1943 dhe është një çrregullim ende jo shumë i njohur, ndaj specialistët thonë se trajtimi i tij duhet të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale bashkë me më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje.

Bazuar në të dhënat shëndetësore, autizmi ka një prevalencë më të madhe se 0.1%.

Sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, autizmi shfaqet tek fëmijët para moshës trevjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja, apo lojëra përfytyruese.

Mjekësia ende nuk ka mundur të qartësojë shkaqet e autizmit, ndërsa përpjekjet e shkencëtarëve vazhdojnë të jenë të mëdha.

Edhe pse rrallë observohet më shumë se një rast autizmi në familje, observimi i një përqindje të konkordancës së rritur te binjakët monozigotë ka treguar rëndësinë e faktorit gjenetik tek autizmi./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme