Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, në këtë post është vetëm edhe tetë muaj. Por, posti i të parit të shtetit po i përçanë partitë politike në vend.
Ani pse të gjitha partitë politike kanë thënë se për President të vendit e duan një person unifikues dhe jo nga paritë politike por i pranueshëm për të gjithë, kjo nuk po del te jetë qëndrim zyrtarë i tyre.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është partia e parë që ka dalë me kandidat për shef të shtetit.
Ramush Haradinaj ka marr besim nga AAK-ja, si kandidat për president.
Por nominimi i emrit të tij në ketë kohë po vlerësohet i ngutshëm nga partitë e tjera.
Haki Rugova nënkryetar i LDK-së, për arbresh.info ka thënë se Presidenti ka mandat deri në prill të vitit të ardhshëm.
Ndonëse nuk ka dashur të komentojë për nominimin e AAK-së, Rugova ka thënë se nuk është koha të bisedohet për temën e Presidentit.
“Unë s’do t’i komentoj këto vendime. Kryetari i LDK-së zotëri Isa Mustafa tash është aktiv pas tejkalimit të pandemisë dhe ai është autoriteti kryesor që i bon diskutimet dhe bisedat me partnerët e koalicionit. Koalicioni po funksionon normal. Ai është vendim që e ka marr partia e tij. Nuk është ende koha për të diskutuar për temën e Presidentit. Presidenti e ka mandatin deri në prill të vitit të ardhshëm”.
E, se është ende herët të flitet për ketë temë e thotë edhe partneri tjetër qeverisës Nisma Social Demokratike.
Endrit Shala, deputet i kësaj partie për arbresh.info ka thënë se aktualisht Kosova e ka Presidentin dhe mandati i tij është deri në prill.
“Unë nuk dua të komentoj vullnetin e Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta mbështetur një kandidaturë të kryetarit te tyre z.Ramush Haradinajt për president të Kosovës. Kosova ka President. Presidenti është duke kryer detyrën e tij kushtetuese. Dihet kur është afati për zgjedhjen e Presidentit. Partitë mund të kenë dëshira që liderët e tyre, anëtarët e tyre të zgjidhen nëpër pozita. Aktualisht Kosova e ka Presidentin dhe kjo çështje nuk është në tavolinë tash për tash. Në momentin që vjen afati për zgjedhjen e Presidentit atëherë liderët politikë të të gjitha partive duhet të ulen dhe të arrijnë marrëveshje se si do të veprojnë me këtë çështje. Si deputet dhe si Sekretar për marrëdhënie me publikun i Nisma, vlerësoj se Republika e Kosovës e ka Presidentin dhe deri në vitin e ardhshëm kjo çështje nuk është në tavolinë”.
Për Partin Demokratike të Kosovës nominimi nga AAK-ja në ketë kohë është jo etike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre.
“Çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është jo etik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara. Kërkesa e jonë për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë. PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar”, ka thënë Memli Krasniqi, deputeti i PDK-së.
Kujtojmë, se Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës me marrëveshjen PDK-LDK, më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës. Detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës./Vlora Selimi/arbresh.info/
Çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së, Maqedonci thotë se...
Kryeministri libanez shpreson për ‘faqe të re për Libanin’ p...
Shqipëria 2030 në BE, Rama: Plotësisht e mundur
Banorët hamendësojnë se sa mund të jetë ora
Regjistrohet tërmet në Maqedoninë e Veriut
Abdixhiku pret në takim ambasadorin e Zvicrës, flasin për zg...