Parlamenti Evropian në seancën e djeshme plenare ka diskutuar lidhur me situatën në veri të Kosovës pas sulmit në Banjska.
Eurodeputetët kërkuan që autorët të sillen para drejtësisë dhe kërkuan që Serbia dhe Kosova të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të kthehen në dialog. Disa prej tyre kërkuan gjithashtu sanksionimin e Serbisë duke ngrirë fondet që ajo merr nga BE.
Komisioneri Evropian për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç foli në seancën plenare, duke theksuar se shkalla e operacionit të 24 shtatorit ishte e paprecedentë.
“Kjo është një kambanë e fortë alarmi se situata në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë. BE-ja po ndjek nga afër hetimet në vazhdim dhe pret që autorët të sillen para drejtësisë dhe Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht, duke përfshirë parandalimin e kontrabandës së armëve”, tha ai, shkruan European Western Balkans, përcjell Arbresh.info.
Lenarçiç shtoi se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën. Në këtë kontekst, ai e cilësoi si shqetësuese retorikën nga Beogradi, si dhe mënyrën e mbajtjes së ditës së zisë.
Sipas Komisionerit, sulmi nuk duhet të shërbejë si justifikim për të larguar vëmendjen nga dialogu i lehtësuar nga BE. Obligimet nga marrëveshja e sivjetshme e arritur nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbeten të detyrueshme, tha ai.
Raportuesi për Serbinë Vladimir Bilčik (EPP) dënoi sulmin, duke thënë se nevojitet një hetim i vërtetë i të gjitha ngjarjeve dhe të shtënave. Ai shtoi se me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, dialogu Beograd-Prishtinë ka ngecur, duke theksuar se këtë e thotë si dikush që shpesh herë ka qenë kritik ndaj Beogradit në Dialog.
Tonino Picula (S&D) kujtoi se Kosova ishte vënë nën disa masa sanksionuese në fillim të këtij viti.
“Të paktën të njëjtat ose më të gjera duhet të aplikohen edhe për Serbinë pas ngjarjeve të fundit. Ne mund të ndalojmë financimin e projekteve të infrastrukturës nëse nuk ka përmirësime në bazat dhe dispozitat e dialogut”, tha ai.
Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon tha se lidhjet e Milan Radoiçiqit, politikanit serb të Kosovës që udhëhoqi sulmin, me Beogradin zyrtar, ishin më se të dukshme.
“Serbia duhet të bashkëpunojë pa kushte me hetimin dhe të mbajë përgjegjësi të gjithë. BE-ja, së bashku me NATO-n, duhet të dalin me frenim në veri të Kosovës. I bëj thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së që të dërgojnë forca shtesë në KFOR”, tha von Cramon.
Andreas Schieder (S&D) akuzoi Vuçiqin se po derdh gjithnjë e më shumë naftë në flakë dhe bëri thirrje për një reagim të fortë nga BE.
“Politikanët duhet të kuptojnë se do të ketë pasoja dhe pasojat do të jenë ngrirja e ndihmës financiare”, tha Schieder.
Disa eurodeputetë të tjerë, duke përfshirë Tineke Strik (Të Gjelbrit/EFA), Thomas Ëaitz (Të Gjelbërit/EFA) dhe Thijs Reuten (S&D) kërkuan gjithashtu ngrirjen e ndihmës financiare për Serbinë.
Parlamenti Evropian do të miratojë një rezolutë për sulmin në Banjska në seancën e dytë plenare këtë muaj, e cila është planifikuar të mbahet nga 16 deri më 19 tetor.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...