Diplomati i njohur amerikan, William Pope, është nderuar sot në një ceremoni të veçantë nga, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, me çmimin “Excellence Leadership Award” për kontributin e tij të madh dhënë për çështjen e Kosovës në aspektin e sigurimit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e vendit në organizata të mëdha ndërkombëtare.
Duke u zotuar se vendi i tij doe të jetë përherë mbështetës besnik i Kosovës dhe qytetarëve të saj, fituesi i çmimit “Excellence Leadership Award”, William Pope tha se në tërë karrierën e tij diplomatike, nuk ka bërë asnjëherë asgjë më të drejtë, sesa kur mori vendimin për ta mbështetur rrugëtimin e Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit.
“Ka shume shtete të reja që po krijohen nëpër botë dhe ato që janë, nuk po tregohen shumë të suksesshme, por një përjashtim të madh në këtë aspekt e bën Kosova, sepse ajo çfarë kam parë është e mrekullueshme dhe e gjitha është puna juaj, kurse ne vetëm ju kemi mbështetur”, potencoi Pope, teksa u shpreh se ndihet i impresionuar dhe i nderuar me vlerësimin që iu bë atij, përmes dhurimit të këtij Çmimi.
Ndërsa, rektori i UBT-së, rektori Edmond Hajrizi tha se UBT është institucion që di të vlerësojë vlerën e personaliteteve të mëdha, e që sipas tij, në radhën e figurave të tilla renditet edhe diplomati Pope, si kontribuues dhe njohës i mirë i rrethanave të Kosovës deri në ditët e sotme.
“Vlerat e tij njerëzore dhe diplomatike e bëjnë diplomatin Pope një personalitet me dije dhe aktivitete të çmuara, si në SHBA, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, kurse sot ai erdhi në shtetin që po zhvillohet dhe po integrohet falë kontributit të vendit të tij, që është shtyllë ku shteti i Kosovës mbështetet në rrugëtimin e saj të gjatë drejt zhvillimit dhe integrimit”, theksoi Hajrizi.
Ai tha se kontributi dhe puna e pareshtur e Pope, e bënë atë anëtar të familjes sonë të madhe dhe mik të përhershëm të UBT-së.
Zv.ambasadori i Kosovës në New York, Ylber Kryeziu konstatoi se, ndonëse e ardhmja e Kosovës është në Evropë, SHBA duhet të ketë përgjegjësi të posaçme për fatin e Kosovës, të cilën do ta mbajë përmes njerëzve të saj.
“Është një listë e gjatë e heronjve të panjohur që punojnë për ta çuar përpara procesin e ruajtjes së paqes në botë, andaj ndonëse emri i diplomatit Pope nuk është shumë i njohur në opinionin publik, por emri i tij e ka simbolikën e angazhimit amerikan për zhvillimin dhe njohjen e Kosovës”, vlerësoi ai.
“Excellence Leadership Award” është Çmimi më i lartë që e dhuron UBT për personalitete të shquara vendore e ndërkombëtare, që kanë dhënë kontribut dhe kanë shënuar arritje në fusha të ndryshme.
UBT ka nderuar deri tash një varg personalitetesh, si humanisten austriake, Marianne Graf, zëvendëskancelari austriak dhe diplomati i shquar evropian, Erhard Busek dhe selektori i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist