Google ADS

Diplomacia regresive e Kosovës| Qeveria Hoti “izolon” vendin në arenën ndërkombëtare

08:09 | 17 Dhjetor 2020
A. B.

Kosova deri më tash ka dështuar të ndërtojë një diplomaci funksionale dhe profesionale, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike, por edhe përfaqësues të institucioneve të vendit.

Ibrahim Gashi, profesor i Diplomacisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për arbresh.info, vlerëson që Kosova gjendet në defensivë diplomatike, për shkak se sipas tij, vendi nuk e ka të ndërtuar në mënyrë të qartë dhe të dukshme objektivin, deri te i cili dëshirohet të shkohet përmes diplomacisë.

“Në përgjithësi qeveria Hoti ka pasur performancë të dobët, është njëra nga qeveritë me perforacë më të dobët. Nuk ka arritur t’i jap përgjigje shumë problemeve. Ministria e Jashtme ka pasur ngecjen në përmbushjen e misioneve të veta që i ka, shetndërtuese. E sidomos në pjesën e afirmimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ne kemi qenë dëshmitarë se Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar shumë pak aktivitete që nga koha kur ka marr atë detyrë”, ka thënë Gashi.

Sipas profesorit universitar diplomacia e Kosovës është nën hijen e emërimeve politike nga partitë në qeveri.

“Ka pasur shume ndërhyrje në shërbimi diplomatik për të akomoduar njerëz nga kampet politike partiake të koalicionit qeverisës, duke kthyer diplomatë pa e përfunduar mandatin  tyre.

Këto vite janë të rëndësishme për Kosovën dhe duhet të performojë si shtet. Nuk kemi liberalizim të vizave e as hapa të tjerë konkret në integrimin e Kosovës. Mungesa e komunikimit dhe aktivimeve ndërkombëtare është një matës i mirë që Kosova po izolohet, nuk është pjesë e forumeve ndërkombëtare, qoftë oline ose fizikisht. Paraqitja e Kosovës me fusnotë është një dështim tjetër. Kosova po e përjeton një izolim në arenën ndërkombëtare” , deklaron Gashi.

E, anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga Lëvizja Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, shprehet se Qeveria Hoti ka dështuar të drejtojë Kosovën në rrugën e duhur.

Sipas Gjyshincës Kosova në planin e jashtëm ka pësuar një stagnim total, dhe se drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nga Meliza Haradinaj -Stublla, është një dështim tjetër.

“Politika e Jashtme e Qeverisë së Kosovës udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja Haradinaj, nuk ka qenë as politikë, e as e jashtme. Aq më pak për Kosovën dhe prioritetet ndërkombëtare të saj. Në planin e jashtëm ka pasur stagnim total në procesin e njohjeve të reja, dhe është vendosur moratorium për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ndërsa në planin e brendshëm me vendime skandaloze kanë vazhduar degradimin institucional të MPJD-së”, deklaron Gjyshinca për Arbresh.info.

Por, nga Qeveria e Kosovës janë më optimistë për politikën e jashtme të vendit dhe emërimet e stafit diplomatik.

Ani pse fillimisht Avdullah Hoti si kryeministër tha se nuk kish koordinim me Ministren e Jashtme, Meliza Hradinaj-Stubllen, për emërimet politike në diplomaci, tani thotë se është në dijeni.

Antigona Baxhaku këshilltare politike nga Zyra e Zryeministrit, për Arbresh.info bënë të ditur se po bëhet një analizë e punës së diplomatëve.

“Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në koordinim me Zyrën e Kryeministrit për këtë dhe është duke ju bërë analiza e sektorit të përgjithshëm të rrjetit të punës së diplomatëve dhe me pas do të merren vendimet”, duke mos dhënë detaje më shumë.

Për krejt këtë zyra e shefes së diplomacisë, Meliza Haradinaj-Stublla nuk ka kthyer përgjigje për situatën diplomatike të Kosovës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës sipas marrëveshjes së nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator e ka pezulluar aplikimi në organizatat ndërkombëtare për një vit./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme