Google ADS

Dinosha: Marrëveshja e Abazoviqit me Kishën Serbe është mashtrim

22:33 | 3 Gusht 2022
L G

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, duke komentuar nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe në Podgoricë, ka thënë se ka përshtypjen se akti është nënshkruar befasisht dhe me mashtrim.

“Në fakt, publikut nuk iu tha se kjo do të ndodhte sot dhe as që një mysafir nga Beogradi do të mbërrinte në Mal të Zi për këtë qëllim”, shtoi ai në deklarim për mediat malazeze.

I vjen keq, thekson ai, që “befasinë” e ka bërë kryeministri i Malit të Zi, me origjinë shqiptare.

“Origjinë, e them me qëllim, sepse një shqiptar i vërtetë nuk do të sillej kështu. Të paktën do të linte një nga nënkryetarët e tij ortodoksë ta bënte këtë”, thotë Dinosha.

Ai ka theksuar se lidhur me këtë çështje të gjithë kanë pritur konsultime shtesë me përfaqësues dhe ekspertë të opinionit politik.

“Kryeministri, apo dikush tjetër, megjithatë, donte ta bënte këtë në rrugë të shkurtuar, së bashku me kreun e Kishës Ortodokse Serbe, për të nënshkruar një dokument që shumica në Mal të Zi, veçanërisht malazezët, e perceptojnë si antimalazez dhe antikushtetues, në vend se Qeveria të fokusohet në projekte të rëndësishme nga agjenda evropiane”, tha Dinosha.

Ai shtoi se malazezët duhet të jenë shtylla kurrizore e shtetit të Malit të Zi dhe të gjitha qeverive të tij demokratike.

“I bindur se ndaj mendimin e shumicës së shqiptarëve në Mal të Zi, dua të shfrytëzoj rastin për të thënë qartë sa vijon: Sado që Mali i Zi është shtet civil dhe pavarësisht se sa shoqëria civile është ndërtuar në të, shtylla kurrizore e ky shtet dhe të gjitha qeveritë e tij demokratike duhet të jenë malazeze. Përndryshe, mbijetesa e tij do të vihej në pikëpyetje. Sikur edhe qenia e tij multietnike”.

Ai beson se forcat politike dhe civile pro-Malit të Zi dhe properëndimore “do të ngrihen në mbrojtje të shtetit dhe vlerave demokratike që ka arritur që nga referendumi”.

“Gjithashtu, mendoj se shqiptarët që janë anëtarë të Qeverisë dhe Parlamentit do të qëndrojnë pa mëdyshje pranë atyre forcave. Sepse nuk e di sa kohë e kanë duruar malazezët me Shqepanin e Vogël, por e di që nuk duhet ta durojnë më Dritanin e vogël”, ka përfunduar Dinosha./rtk/

Të ngjashme