Edhe pas 11 viteve shtet, valuta e Serbisë, dinari po qarkullon si mjet pagese në vendbanimet serbe, në gjithë territorin e Kosovës, dukuri kjo e cila nga njohës të fushës financiare po konsiderohet antiligjore dhe antikushtetuese.
Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës(BQK) po ashtu thuhet se sipas kërkesës, Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat e euros.Zyrtarë të BQK-së pohojnë se Kosova ka adaptuar euron si valutë zyrtare.
Eksperti financiar Milazim Abazi pohon se fatkeqësisht në Kosovë po përdoret përveç euros, edhe dinari nëpër enklavat serbe si mjet i pagesave të brendshme, edhe pse është antiligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën Kosovës, si dhe në kundërshtim me ligjin për Bankën Qendrore, të cilat përcaktojnë detyrat e Bankës Qendrore për ruajtjen e sistemit të pagesave të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Ai po ashtu deklaron se edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) me inspektoratin e saj duhet të inspektojë dyqanet të cilat përdorin dinarin dhe të marrë masa ndaj tyre.
Nënkryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), Arsim Selmonmusaj thotë se banka komerciale, “Komercialna Banka” në veri të Mitrovicës mundëson lëshimin e valutës dinari për qytetarët e kësaj pjese dhe në tërë territorin e Kosovës, ku edhe disa biznese punojnë me këtë valutë.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa pohon se këto dukuri janë ato zbrazëtira në kontrollin e territorit dhe në zbatimin e ligjit, e njëra ndër to është edhe valuta dinari.
Ish-deputeti Mustafa thotë se institucionet e shtetit duhet me ashpërsuar kontrollin në ato pjesë ku bëhen pagesat me dinarë, por përderisa nuk ka kontroll në shumë çka më së vështiri është me i kontrollua parat.
Ndërsa, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Kushtrim Ahmeti thotë se Kosova ka adaptuar euron si valutë zyrtare. Megjithatë, sipas tij, bankat komerciale që operojnë në Kosovë mund të mbajnë edhe valuta tjera të huaja, por sipas rregullores së BQK-së për rrezikun nga aktiviteti me valuta të huaja, BQK-ja ka specifikuar kufizimin e ekspozimit të bankave ndaj rrezikut nga aktiviteti i këmbimit valutor.
“Për më shumë, asnjë bankë nuk duhet të ketë pozicion neto të hapur të valutës së huaj, në asnjë nga valutat e huaja që tejkalon 15% të kapitalit të klasit të I-rë të saj, ku bankat janë në pajtueshmëri me kërkesë në fjalë. Për më shumë, ky pozicion ka të bëjë me raportin në mes të mjeteve dhe obligimeve të një banke e që në momentin që ato zbriten, vlera e fituar të mos jetë më e madhe se 15% e kapitalit të klasit të parë”, pohon Ahmeti në një përgjigje elektronike.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Gjykata Kushtetuese për këtë fenomen, por drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula deklaron se gjykata nuk mund të ofrojë përgjigje në pyetjet hipotetike të parashtruara nga individët përkitazi me çështje të ndryshme kushtetuese.
“Gjykata shqyrton dhe vendos vetëm për kërkesat e parashtruara në mënyrë ligjore dhe nga palët e autorizuara”, thotë Dula në një përgjigje elektronike.
Ndryshe, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës. Ndërsa, ligjet dhe aktet e tjera juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë.
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...