Google ADS

Dikur e akuzonte Hashim Thaçin për dhunë, sot flet ndryshe

19:03 | 24 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Gjykata Speciale duhet të shfuqizohet dhe të themelohet në Kosovë. Komandantët e UÇK’së nuk e kanë vendin ku është gjykuar Milloshevici e Shehsheli. Serbia ka kryer krime e gjenocid. E jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prokurorët vendorë duhet të merren me secilën vrasje që ka ndodhur para, gjatë dhe pas luftës. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, flet për Express.

Gjergj Dedaj, Kryetar i Partisë Liberale të Kosovës, në dhjetor të vitit 2011, e kishte denoncuar në “Rubikon” të KTV’së Hashim Thaçin, se në vitin 1998 kishte ushtruar, për tri ditë e tri net rresht, maltretime fizike, psikike dhe morale ndaj një delegacioni që vizitonte Drenicën.

“Hashim Thaçi edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Na ka maltretuar fizikisht, psiqikisht, moralisht…. Është një krim, e jo një incident”, pati thënë Dedaj.

Pikërisht është Gjykata Speciale e cila ka mandat të hetojë e gjykojë krimet që janë kryer prej janarit të vitit 2008 deri në dhjetorit të vitit 2000.

Më vonë Dedaj i pati tërhequr akuzat ndaj Thaçit, i cili në vitin 2011 e kishte shkarkuar për ta riemëruar Zëvendësministër. Edhe sot e kësaj dite, sa herë që PDK është në Qeveri, Dedaj propozohet për zëvendësministër.

Në një bisedë për Gazetën Express, Dedaj ka thënë se e ka tejkaluar atë që ka pasur me ish-udhëheqësin politik të UÇK’së Hashim Thaçin, derisa ka dalë pro idesë së shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Ai ka propozuar themelimin e një institucioni në Kosovë që do të merret me të gjitha krimet.

“Jo, jo, ato janë gjana te tejkalume, i kam thënë unë atë dite që jam kthyer nga Drenica (1998). I kam thënë dhe janë te botuara në Zërin e Amerikës. Nuk është mirë me njollos emra. Të gjithë pjesëtarët e UÇK’së, komandantët për mua kanë bërë luftë të drejtë, të pastër, të ndershme dhe çlirimtare”, ka thënë Dedaj të dielën për Express.

Ai ka thënë se Gjykata Speciale duhet të shfuqizohet dhe të themelohet një mekanizëm vendor për të trajtuar secilën vrasje që ka ndodhur prej paraluftës e deri më tash.

“Çdo vrasje është krim mirëpo domethënë ato kanë mund të trajtohen në Kosovë, sepse ne duhet me pas besim në prokurorët dhe drejtësinë kosovare. Nuk na duhet Gjykata Speciale sepse kjo edhe e dëmton imazhin e gjyqësisë dhe ligjit dhe drejtësisë kosovare. Na duhet me pasë besim të plotë dhe mendoj qe kemi gjyqtarë e prokurorë e institucione shume legjitime dhe te zotët që munden me i trajtu të gjitha vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës por këto janë çështje individuale”, ka shtuar Dedja.

Ai ka thënë se Gjykata Speciale dhe institucionet tjera të drejtësisë duhet të merren me krimet e kryera nga shteti serb në Kosovë dhe jo nga çlirimtarët.

“Sipas mendimit tim, gjykata speciale është e padrejtë për Kosovën se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bo një luftë të pastër, të drejtë dhe mundem me thanë një luftë mbrojtëse me ato mundësitë që i ka pas të kufizuara dhe ka mbrojt pragun e shtëpisë ka mbrojt nderin ka mbrojt familjet tona, pra nuk ka bërë luftë”, ka deklaruar Zëvendësministri Dedaj.

“Luftë ka bërë Serbia, e cila ka qenë shkaktare e të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi, por mbi të gjitha ka bërë krime edhe terrorizëm, gjenocid në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të barazojë kriminelët e shtetit serb me udhëheqësit e UÇK’së.

“Por, unë gjithmonë mbetem pranë asaj qe pjesëtaret e UÇK’së, edhe shqiptaret e Kosovës nuk e kanë vendin aty ku e ka Shesheli e Millosheviçi dhe shumë kriminelë të tjerë”. (Akuzat e Dedajt kunder Presidentit Thaçi fillojne prej minutës se 20-të)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme